Nëse shikoni pak myk në ushqimet hidheni menjëherë, ja sa mund të rrezikohet organizmi
Nëse shikoni pak myk në ushqimet hidheni menjëherë, ja sa mund të rrezikohet organizmi

Gjendja e mirë e ushqimit është thelbësore për shëndetin tonë, ndaj është shumë e rëndësishme ta ruajmë në mënyrën e duhur për të parandaluar prishjen dhe veçanërisht rritjen e mykut. Edhe pse mund të duket si një shqetësim i vogël estetik, myku është më shumë se kaq, është një kërcënim i vërtetë për organizmin.
Myku është një lloj kërpudhe që ndodhet kudo përreth nesh në ajër, në ujë, madje edhe në sipërfaqe që duken të pastra. Ai përhapet nëpërmjet sporeve të imta që, kur bien mbi ushqim dhe gjejnë lagështi e temperaturë të përshtatshme, fillojnë të shumohen me shpejtësi. Ka shumë lloje myku dhe jo të gjithë janë njësoj, por është e pamundur të dalloni me sy të lirë se cili është i rrezikshëm dhe cili jo. Prandaj, ekspertët këshillojnë që ushqimi i prekur nga myku të mos konsumohet në asnjë formë.
Shpesh, në përditshmëri, kur shohim një pjesë të vogël të mykur në bukë, djathë apo fruta, tundimi për ta prerë dhe për të konsumuar pjesën tjetër është i madh. Por kjo është një praktikë e rrezikshme. Myku mund të ketë depërtuar thellë në ushqim edhe pse nuk duket. Strukturat e tij mikroskopike përhapen më larg sesa ajo njolla e vogël që shohim në sipërfaqe.
Më shqetësues është fakti se disa lloje kërpudhash prodhojnë substanca shumë të rrezikshme të quajtura mykotoksina. Këto toksina nuk dëmtohen nga gatimi ose ngrirja dhe mund të shkaktojnë probleme serioze si nauze, të vjella, diarre, madje edhe efekte afatgjata në mëlçi ose sistemin nervor. Ndër mykotoksinat më të njohura janë aflatoksinat, të cilat njihen për lidhjen që kanë me sëmundje të rënda.
Për të shmangur rrezikun, këshillohet që ushqimi të ruhet gjithmonë në temperatura të përshtatshme, të mbahet i thatë dhe të konsumohet brenda afatit të rekomanduar. Në rast se shihni shenja myku, njolla të gjelbra, blu, të zeza apo të bardha, më e mira është të mos e konsumoni atë ushqim. Është më mirë të hidhni një produkt sesa të rrezikoni shëndetin tuaj. Syri.net-iefimerida