Netanyahu thotë se e mbështet propozimin për armëpushim me Hezbollahun
Netanyahu thotë se e mbështet propozimin për armëpushim me Hezbollahun
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të martën se do t’i kërkojë kabinetit të tij ta miratojë një propozim për armëpushim me Hezbollahun, duke e hapur rrugën për t’i dhënë fund luftës gati 14-mujore.
Netanyahu tha se votimi pritet të ndodhë më vonë gjatë natës.
“Ne do ta zbatojmë marrëveshjen dhe do të përgjigjemi me forcë ndaj çdo shkeljeje. Së bashku, ne do të vazhdojmë deri në arritjen e fitores”, tha Netanyahu në një adresim televiziv.
Ky armëpushim nuk ndikon në luftën e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës, e cila nuk po tregon shenja se mund të përfundojë. Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Zyrtarët libanezë kanë thënë se edhe Hezbollahu e mbështet marrëveshjen. Nëse miratohet nga të gjitha palët, marrëveshja do të ishte hap i madh drejt përfundimit të luftës mes Izraelit dhe Hezbollahut, e cila ka rritur tensionet në të gjithë rajonin dhe ka shtuar frikën për një konflikt edhe më të gjerë mes Izraelit dhe mbështetësit të Hezbollahut, Iranit.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
Marrëveshja parashikon fillimisht ndërprerjen e luftimeve për dy muaj, dhe i kërkon Hezbollahut të mos ketë prani të armatosur në një pjesë të gjerë të jugut të Libanit, ndërsa trupave izraelite u kërkon do të kthehen në anën e tyre të kufirit. Mijëra trupa libaneze dhe paqeruajtës të OKB-së do të vendoseshin në jug, dhe një panel ndërkombëtar, i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara, do ta mbikëqyrte zbatimin e marrëveshjes nga të gjitha palët.
Por, zbatimi mbetet pikëpyetje e madhe.
Izraeli e ka kërkuar të drejtën e tij për të vepruar nëse Hezbollah i shkel detyrimet e tij. Zyrtarët libanezë kanë refuzuar ta përfshijnë këtë në propozim. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, këmbënguli të martën se ushtria do ta godiste Hezbollahun nëse forca paqeruajtëse e OKB-së, e njohur si UNIFIL, nuk ofron “zbatim efektiv” të marrëveshjes.
“Nëse ju nuk veproni, ne do të veprojmë, dhe me forcë të madhe”, tha ai, duke folur me të dërguarën speciale të OKB-së, Jeanine Hennis-Plasschaert.
Derisa kabineti izraelit u mblodh pwr ta diskutuar propozimin pwr armëpushim, avionët luftarakë të Izraelit e goditën një ndërtesë banimi në qendër të Bejrutit, si dhe lëshuan urdhra të rinj për evakuim për 20 ndërtesa në periferitë jugore të kryeqytetit të Libanit.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, la të kuptohej se do të ketë më shumë sulme, duke thënë se janë lëshuar urdhra për rreth 20 ndërtesa në periferitë jugore të Bejrutit, si dhe një paralajmërim për qytezën jugore Naqoura, në të cilën ndodhet selia qendrore e misionit paqeruajtës të OKB-së, UNIFIL.
Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të grupit militant palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në fillim të luftës në Gaza.
Në muajt e fundit, konflikti është përshkallëzuar, pasi Izraeli është duke e bombarduar pareshtur jugun e Libanit, periferitë jugore të Bejrutit dhe Luginën Beka, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore përtej kufirit.
Nga ana e tij, Hezbollah ka hedhur raketa më thellë brenda Izraelit.
Operacioni i zgjeruar i Izraelit i ka zhvendosur më shumë se 1.2 milion njerëz, sipas qeverisë libaneze, e cila thotë se më shumë se 3.760 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10.000 janë plagosur gjatë një viti luftimesh.
Raketat e Hezbollahut kanë vrarë të paktën 50 njerëz në Izrael, më shumë se gjysma e tyre civilë, sipas autoriteteve izraelite./REL