Veljanovski dënohet me 6 vjet e gjysmë, Janakievski dhe Ristoski me 6 vjet e tre muaj burg për organizimin e 27 prillit

Në Gjykatën Penale sot është shqiptuar aktgjykim prej gjithsej 25 viteve burg për organizatorët e ngjarjeve të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, shkruan Alsat.  Ish kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski është dënuar me 6 vjet e 6 muaj burg, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski me 6 vjet 3 muaj,  ish ministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski, 6 vjet e 3 muaj, kurse ish drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Vlladimir Atanasovski, është dënuar me  6 vjet burg.

Procesi gjyqësorë për organizatorët e “27 prillit” kishte nisur me 21 shkurt të vitit 2020. Personat në fjalë janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “Kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë”.

Sipas Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, të pandehurit e dinin saktësisht se çfarë po bënin dhe kanë bërë çmos me qëllimin e vetëm për të parandaluar formimin e qeverisë së re nga shumica e re parlamentare që tashmë ishte siguruar.

Hetimi për këtë rast përfshiu gjithashtu edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-punonjësin e DSK-së Nikolla Boshkovski, por procedura për ta është ndërprerë për shkak se të njëjtit janë në arrati dhe janë të pakapshëm për organet e rendit.

LEXO EDHE:

Back to top button