Nga nesër pa maska në shkolla fillore
Qeveria në seancën e sotme vendosi të pranojë propozimin e Komisionit për Sëmundjet Infektive për zbutjen e disa masave me COVID-19 që aplikoheshin për nxënësit e shkollave fillore, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
“Nxënësit e shkollave fillore do të mund të ndjekin mësimin me prezencë fizike pa mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse. Vendimi hyn në fuqi nesër dhe është i vlefshëm deri në paraqitjen e një propozimi të ri nga Komisioni për Sëmundjet Infektive”, thuhet në deklaratë.
Megjithatë, ata nxënës që dëshirojnë do të mund të mbajnë veshje mbrojtëse gjatë qëndrimit të tyre në objektin e shkollës.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën thirrje për respektimin e vazhdueshëm të të gjitha masave të tjera për parandalimin e pandemisë që janë në fuqi dhe sjellje të përgjegjshme jo vetëm në shkolla por edhe jashtë tyre, për të vazhduar mësimin me prezencë fizike si një opsion që është nga më të mirat në interes të nxënësve.








