Nga viti në vit dinjiteti i mësimdhënësve po ulet

Ne tre dekadat e fundit thuajse ka humbur dinjiteti ndaj punonjësve në arsim, sidomos ndaj mësuesit, vlerësojnë nga Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Kreu i SASHK-ut, Jakim Nedelkov thotë se në Ditën botërore të mësuesit, shumë mësimdhënës vazhdojnë të punojnë në shkolla me infrastrukturë të dëmtuar, pa mjete për punë në një kohë kur ka nisur zbatimi i reformave në arsim.

Dinjiteti i punonjësit në arsim, përkatësisht mësuesit është në nivelin më të ulët në 30 vitet e fundit. Gjithashtu, këtu reflektohet edhe kënaqësia materiale, përkatësisht paga që merr mësuesi kundrejt punës së rëndësishme që bën mësuesi dhe sa është i rëndësishëm për zhvillimin e përgjithshëm të vendit. Digjitalizimi është i nevojshëm mirëpo edhe shteti, shoqëria duhet të sigurojë kushte për këtë punë – tha Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut.

Teuta Ymeri, mësuese e Artit Figurativ vlerëson se mësuesit japin maksimumin nga vetja për lëndë të caktuara por janë të kufizuar me orët mësimore. Siç tha ajo arti figurativ ka vetëm një orë në javë dhe jo dy siç kishte më herët.

Besoj është shumë pakëz për fëmijët se kanë nevojë për më shumë relaksim, tanimë është kthyer ajo metoda teori më shumë se sa praktika. Arti figurative është një lëndë që me të vërtet zbulon shumë të fëmija, ka fëmijë shumë të talentuar që e duan artin por për shkak që është një orë një javë kufizohen. Edhe për më tutje nuk mund të udhëzohen, shumë pak nxënës udhëzohen për shkollë të mesme të artit apo qoftë ajo arkitekturë, dizajn edhe më tutje për fakultet – theksoi Teuta Ymeri, mësuese.

Me rastin e ditës së mësuesit, ministrja e Arsimit, Milla Carovska shprehu mirënjohje për angazhimin dhe punën e palodhur të mësimdhënësve në kushte pandemie duke realizuar procesin mësimor online. Në sistemin arsimor të vendit, sipas të dhënave të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave, në shkollat fillore janë të punësuar 18,732 mësues, nga të cilët 13,076 janë gra. Ndërkohë, në shkollat e mesme ka të punësuar 7,479 mësues.

Melihate Rustemi

LEXO EDHE:

Back to top button