Ngrohja në kryeqytet, nëpërmjet “TE-TO”-s

Andrea Çobanova

Qeveria ka udhëzuar centralin e gazit TE-TO në Shkup që të prodhojë energji elektrike dhe ngrohje edhe në fundjavë, jo vetëm nga e hëna deri të premten. Energjinë elektrike të prodhuar do duhet t’ia shesë EMV-së shtetërore me çmim deri në 170 euro për megavat orë. Ndryshe, kjo kompani punon me gaz, dhe prodhon ngrohje vetëm kur prodhon energji elektrike. Ngrohjen më pas e merr Balkan Enerxhi, kompania që furnizon pjesën më të madhe të Shkupit me ngrohje. Ndërkohë, asnjë kompani e ngrohjes akoma nuk është përgjigjur nëse e pranon ofertën e qeverisë prej gjashtë milionë euro para nga shteti për të mbuluar dallimin prej 14% të çmimit më të lartë për ngrohje. Në këmbim të kësaj- faturat e qytetarëve të mbeten të njëjta.

“BEG nuk mund të japë garanci bankare, ne nuk mund të japim kredi në emër të Qeverisë pa u garantuar mjetet që dalin nga buxheti. Nuk kemi përgjigje për propozimin për të mbuluar dallimin deri te çmimi real”- deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Ditët e fundit, qeveria dhe opozita kanë shkëmbyer një sërë akuzash për situatën me ngrohjen për atë se kush është kompetent të mbulojë shpenzimet e kompanive. Qyteti i Shkupit është shpallur jo kompetent për ngrohjen qendrore, me arsyetimin se as nuk ka kornizë ligjore e as nuk planifikohet të ndahen para nga buxheti i qytetit për mbulimin e faturave më të larta të qytetarëve. Çmimi i ngrohjes në fillim të vitit është rritur për 14% për shkak të çmimit të lartë të gazit.

 

Andrea Cobanova

LEXO EDHE:

Back to top button