Nikollovski: Hungaria gjithmonë ka qenë mbështetës i integrimit të Ballkanit Perëndimorë

Nikollovski: Hungaria gjithmonë ka qenë mbështetës i integrimit të Ballkanit Perëndimorë

Gazetar: Suad Bajrami

Relacionet e mira me qeverinë hungareze do t’i ndihmojnë procesit integrues të Maqedonisë së Veriut, gjatë gjashtë muajve në vijim derisa Hungaria udhëheqë me Bashkimin Evropian, megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme për të tejkaluar çështjen e hapur me Bullgarinë.

Kështu vlerëson Dimitar Nikollovski, drejtor ekzekutiv i Eurothink, i cili vlerëson se shteti hungarez në vazhdimësi ka qenë mbështetës dhe përkrahës i procesit integrues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Kur do të kthehemi, në çështjen kryesore, e cila është rinegocimi i kornizës negociuese ose ndonjë riformulim, mendoj se këtu edhe nëse kemi ndonjë mbështetje nga udhëheqësia hungareze, nuk do të gjejmë mbështetje të njëjtë në Komision. Do të thosha se në Bruksel tanimë çështja mes Bullgarisë dhe Maqedonisë është e mbyllur dhe ato nuk kanë qëllim që të investojnë më shumë energji dhe kohë në atë, pasi që kanë probleme tjera të cilat janë shumë më lartë në agjendë. Kështu, do të pajtohesha me ju se jemi lënë që vetë ta zgjidhim atë problem”, deklaroi Dimitar Nikollovski, drejtor ekzekutiv i Eurothink.

Në planin, më të gjerë, Nikollovski vlerëson se udhëheqja e Hungarisë do ta ketë vështirë ta zbatojë programin e saj, ndërkaq do të ketë konflikt edhe me institucionet e BE-së, sidomos Komisionin Evropian.

“Kështu që, iniciativat e tyre, kryesisht nuk do të zbatohen, megjithatë ajo do të jetë një mundësi e shkëlqyer për vetë lidershipin hungarez dhe për të djathtën ekstreme në Evropë për promovimin e atyre ideve për Evropën. Në nivel retorik do të jetë shumë udhëheqësi e pasur, por në miratimin e vendimit shumë e varfër”, tha Dimitar Nikollovski, drejtor ekzekutiv i Eurothink.

Ndryshe, me sloganin “Ta bëjmë Evropën të madhe sërish”, identik sikur atë të Donald Trump në zgjedhjet e vitit 2016-të, Hungaria prej 1 korrikut e ka marrë udhëheqjen e Bashkimit Evropian. Në gjashtë muajt e ardhshëm ndër prioritetet kryesore ka radhitur çështjen e politikës së zgjerimit në bazë të meritave, parandalimin e emigrimit të paligjshëm, por edhe forcimin e politikës evropiane të mbrojtjes.

Hungaria, në krye me kryeministrin Viktor Orban në vitet e kaluara ka qenë ndër vendet më të kritikuara në BE për shkeljen e parimeve demokratike dhe për lidhjet e afërta me Rusinë.

Në Hungari, tanimë gjashtë vite po strehohet Nikolla Gruevski, ish kryeministri i Maqedonisë, i cili në vend po kërkohet për t’u gjykuar për disa raste për korrupsion. Nga ana tjetër, kryeministri aktual Hristijan Mickoski, disa herë ka deklaruar raportet e afërta me Orbanin. Si rrjedhojë, kryeministri ka paralajmëruar se gjatë këtij mandati, Hungaria do t’i japë borxh Maqedonisë së Veriut në vlerë prej 1 miliard euro, me kamatë të leverdishme. /Alsat.mk

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button