Kaosi me autobusët privat – Qytetarët u orvatën sot nëpër stacione
Kaosi me autobusët privat - Qytetarët u orvatën sot nëpër stacione

Gazetar: Avni Tahiri
Kaosi u rikthye me autobusët privatë, pas pingpongut mujor tashmë për mos pagesën që nga gjysma e janarit të linjave private, shkruan Alsat.
Me kërcënimin e tyre të fundit, prej një dite më parë, qytetarët u orvatën nëpër stacione, në pritje të autobusëve, por sërish u përballën me pritje, derisa pas orës 10:00, përfundimisht u dorëzuan.
ALSAT i vizitoi disa stacione, dhe qytetarët e revoltuar, hidhnin akuza të shumta ndaj gjitha institucioneve, duke thënë se qytetari po vuan për shkak të paaftësisë së koordinimit lokal dhe shtetëror.
“Nuk është hera e parë, si ta komentoj. S’kam asnjë koment, ishte e pritshme, njerëzit nuk mund të vozisin dhe sigurisht nuk janë ndalur se nuk duan, kanë problem dhe ajo është, ashtu mendoj dhe nuk fajësoj assesi ndërsa fajtor nuk ka ku të kërkojmë, ky është shteti ynë ashtu jemi të gjithë”, tha një qytetare.
“Atje shkruan zero minuta por nuk ka autobus. Nuk e di perse çdoherë ka probleme, njerëzit punojnë e nuk i paguajnë, si ashtu?”, u shpreh një qytetare tjetër.
“Rënde është por çfarë të bëjmë? Çfarë duhet të ndërmerret? Duhet të paguhen çfarë tjetër”, theksoi një qytetare.
“Tani erdhëm por kjo është e njëjtë çdoherë me vite. Cilin numër e pritni? 19 ose 20. Paguajmë mujore rregullisht por nuk ka autobusë, në një apo dy orë ka, nuk e di cili është problemi”, tha një qytetare.
NQP-ja, tashmë me drejtor të ri të sapoemëruar, ende nuk ka ofruar zgjidhje.
Nga ana tjetër, duke qëndruar për së largu ndaj problemit, edhe Qyteti i Shkupit u kundërpërgjigj në mënyrë të njëjtë, duke thënë se për sa kohë që shoferët e autobusëve privatë shkaktojnë kriza të tilla në qarkullim në kurriz të qytetarëve, do të përballën me ndërprerje të kontratës në qarkullimin publik dhe se duhet ta paguajnë shtrenjtë këtë dëm.
Gjithsesi, akuzat mbeten sërish në rrafshin politik, por në atë social nuk ofrohet zgjidhje.
Nesër, sërish qytetarët do të ballafaqohen me reduktim qarkullimi./ Alsat.mk