Nis mbledhja e BDI-së, ja çka do të diskutohet

Nis mbledhja e BDI-së, ja çka do të diskutohet

Gazetar: Suad Bajrami

Në selinë e BDI-së në Reçicë të Vogël të Tetovës, kryesia qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim po mban mbledhje, shkruan Alsat.

Pikë e rendit të ditës janë çështja e veprimit të mëtutjeshëm në mbrojtje të asaj që BDI e quan, rikthim të përfaqësuesve legjitim të shqiptarëve në qeveri dhe kontestimin e përfshirjes së VLEN-it në ekzekutiv.

Gjithashtu, do të diskutohet edhe për deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski i cili ka akuzuar se udhëheqja e BDI-së po planifikon të ndërmarrë hapa për destabilizimin e vendit në tentim për ta mbrojtur pasurinë e fituar nga krimi dhe korrupsioni.

Kryesia e BDI-së pritet që ta diskutojë edhe kërkesën për veting të cilën ua ka bërë partive në pushtet, por edhe për çështje tjera të aktualitetit politik në vend.

“Do të flitet për shënimin e përvjetorit të arritjes së Marrëveshjes paqësore të Ohrit. Gjithashtu do të diskutohet lidhur me draftin të cilin e ka përgatitur autori i Marrëveshjes së Ohrit, zotëri Paul Ëilliams, e që ka të bëjë me sanksionimin e legjitimitetit dhe me respektimin e vullnetit  të qytetarëve për formimin e qeverisë të shprehur në zgjedhje të lira dhe demokratike. Po ashtu do të diskutohet edhe lidhur me politikën tonë të kamotshme që ka të bëjë me vetingun, nga ekspertë euro-amerikanë dhe ekspertë ndërkombëtarë. Të cilit veting, do të duhet t’i nënshtrohen të gjitha partitë politike dhe çdo politikan i cili i përket partisë ose opsionit të caktuar politik, përfshirë këtu edhe veting për gjykatësit, prokurorët, por edhe për procesin e privatizimit, proces të biznesit në 30-vjeçarin, që nga pavarësimi i republikës së Maqedonisë së Veriut e deri më sot”, tha Arbër Ademi, BDI./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button