Nisin bisedimet SHBA-Ukrainë për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia
Nisin bisedimet SHBA-Ukrainë për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia

Bisedimet e nivelit të lartë mes delegacioneve të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara për përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, kanë nisur të martën në Arabinë Saudite.
Bisedimet po zhvillohen teksa është raportuar se të paktën një person është vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve masive me dronë në 10 rajone të Rusisë.
Mbrojtja ajrore ruse ka thënë se i ka rrëzuar 337 dronë ukrainas përgjatë natës.
Në qytetin-port të Detit të Kuq, Xhedah, gazetarët kanë mundur të hyjnë shpejt në dhomën ku delegacioni i lartë ukrainas është takuar me diplomatë amerikanë për të diskutuar se si t’i jepet fund konfliktit më të madh në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio është parë i buzëqeshur para mediave, por jo edhe zyrtarët ukrainas që janë ulur në anën tjetër të tavolinës, për të nisur takimin që po zhvillohet në një hotel luksoz.
Udhëheqësi i delegacionit ukrainas, Andriy Yermak, shef i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se “mbrojtja e interesave ukrainase” dhe një “vizion i qartë për dhënie fund të luftës” janë në agjendën e Kievit për bisedimet njëditore.
“Një armëpushim për luftën trevjeçare të Federatës Ruse në shtetin tim, nuk është dukur kurrë më afër”, ka thënë Yermak në një kolumnë të publikuar në të përditshmen Guardian, në ditën e takimit.
“Armëpushimi në Ukrainë nuk do të ndodhë vetëm përmes përpjekjeve diplomatike”, ka thënë ai.