Nisin përgatitjet për ndërtimin e “Korridoreve”

Nisin përgatitjet për ndërtimin e "Korridoreve"

Gazetar: Mefail Ismaili
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore njoftuan se prej sot fillon zbatimi i Marrëveshjes për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-d. Në kumtesë thuhet se nga sot nisin punimet përgatitore, regjistrimi i terrenit, përgatitja e projekteve urbanistike, projekteve bazë, me qëllim fillimin e procedurave për shpronësim dhe projektim. Por nuk japin asnjë detaj lidhur me lokacionet prej ku fillojnë punimet.

“Paralelisht me këtë fillon mobilizimi i personelit për punë, përgatitja e lokacioneve për ngritjen e kampeve për operimin e ndërtimit, analiza e trasesë dhe dislokimet e mundshme të instalimeve nëntokësore dhe mbitokësore, përgatitja e procedurave për kryerjen e hetimeve gjeoteknike”, thonë nga MTL dhe NP-RRSH.

Pushteti dhe opozita vazhdojnë përplasjet për korridorin 8 dhe 10D. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski deklaroi se pushtetit i dolën në pah edhe dy mashtrime. E para se Shtetet partnere Strategjike si SHBA dhe Turqia, janë ndërmjetësuese në kontratën me Kompaninë “Bechtel dhe Enka”, gjë të cilën e demantoi ambasada e SHBA-së dhe e dyta për të punësuarit dhe orët e punës.

“Gënjeshtër e dytë është java e punës dhe numri i të punësuarve, a thoshin se numri i të punësuarve shumicë do të jenë nga Maqeodnia, që ne si VMRO-DPMNE të dëshmojmë të kundërtën, nënkryetari Aleksandar Nikollovski publikoi diagrame në të cilin shihet se në vetë marrëveshjen është inkuadruar që numri i të punësuarve nga Maqedonia të mos jetë më shumë se 30% edhe pse LSDM thoshte se kjo nuk është e vërtetë, vetë Kovaçevski e demantoi LSDM-në duke thënë se po është e vërtetë, por numri i kompanive që do të jenë nga Maqedonia do të jenë 51%”, u shpreh Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.

Nga LSDM akuzojnë opozitën se shpërndan dezinformata, pasi gjithçka që thuhet në Marrëveshje është në përputhje me ligjin.

“Në nenin 11, paragrafi (3), përkatësisht në pjesën ku rregullohet angazhimi i punëtorëve nga vendi dhe jashtë vendit, theksohet qartë detyrimi që partneri strategjik të shfrytëzojë së paku 51% të burimeve vendore. Pikërisht ky është momenti ku Nikolloski bën atë spin, sepse ligji është i qartë. Kjo do të thotë se nëse vendi ynë ka mjaft burime lokale që mund të përdorë, atëherë përqindja mund të jetë më e lartë se 51%”, theksoi Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Projekti për ndërtimin e korridorit 8 dhe 10D që do të realizohet nga “Bechtel dhe Enka” kap vlerën e më shumë se 1.3 miliardë euro, ndërsa 300 milionë euro shtesë, sipas vlerësimeve fillestare, do të kushtojnë shpronësimet. Sipas njoftimeve do të ndërtohen mesatarisht 25 kilometra në vit, ndërsa një kilometër do të kushtojë 12 milionë euro./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button