Tetova përballet me mungesë të psikiatërve

Tetova përballet me mungesë të psikiatërve

Gazetare: Vjollca Aliti
Tetova përballet me mungesë të psikiatërve. Spitali i Tetovës ka të punësuar vetëm 4 psikiatër, njëri është para pensionimit ndërsa vetëm njëri është shqiptar, edhe ai jo nga Tetova por i transferuar nga qyteti i Gostivarit. Nevzat Elezi nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë alarmon se ky numër prej 4 psikiatërve për 200 mijë banorë është tejet i ulët, në veçanti në këtë kohë pas pandemisë kur nevoja për konsultime dhe trajtime psikiatrike është rritur tej mase.

“Shumë shumë sëmundje të cilat ditëve të sodit me këtë dinamikë të jetesës duke marrë parasysh kalimin e pandemisë dhe me ushqyerje shumë të shpejtë, me një pagjumësi, me një zhurmë të padukshme dhe me një komunikacion shumë të ngarkuar në rrethinën e Tetovës, Besoj se nuk ka pacient të shëndoshë në kuptimin për nevoja psikiatrike. Gjithë ne kemi nevojë për një konsultë psikiatrikë, jo shëruese por konsultative”, tha Nevzat Elezi, Shoqata e Mjekëve Shqiptarë.

Sipas Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë mungesa e psikiatërve ka të bëjë me mos interesimin e të rinjve për të specializuar në këtë fushë.

“ Të rinjtë nuk janë të interesuar për këtë fushë të llojit të specializimeve dhe prandaj ka mbetur mangët. Në përgjithësi psikiatërit mungojnë, numri është shumë deficitar dhe numri është shumë I paktë. Këtë lloj të specializimit për arsye se është më se I nevojshëm, Ministria e Shëndetësisë dhe ministria e Financave e mbulojnë. D.m.th kandidatët të cilët do konkurrojnë për këtë lloj specializimi do kenë mbulesë nga shteti. Kjo është përparësia, ka një lehtësim shumë ekonomik”, shtoi Nevzat Elezi, Shoqata e Mjekëve Shqiptar të Maqedonisë.

Përveç psikiatërve Tetova ka mungesë të ndjeshme edhe të pediatërve dhe gjinekologëve. Nga shoqata e Mjekëve Shqiptarë thonë se gjendja është rënduar edhe më shumë viteve të fundit kur shumë mjek të këtyre specializimeve janë pensionuar ndërsa shumë tjerë kanë ikur jashtë vendit./Alsat.mk

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button