Një aktore hollivudiane humbi jetën në zjarret në Los Angeles: Familja konfirmoi lajmin e hidhur
Ish-aktorja e Hollivudit, Dalys Curry, e cila u shfaq në The Ten Commandments dhe The Blues Brothers, ka vdekur tragjikisht në moshën 95-vjeçare në një zjarr në shtëpinë e saj në Altadena, Kaliforni. Eshtrat e saj u gjetën në vendin e ish-shtëpisë së saj, e cila u shkatërrua plotësisht nga zjarri.

Lajmi për vdekjen e saj u shpërnda në rrjetet sociale nga stërmbesa e saj Dalys Kelly, e cila shkroi në Facebook: “Rreth një orë më parë, mjekja ligjore konfirmoi se eshtrat e saj janë gjetur”. Dalys Kelly, e cila është gjithashtu kujdestare e Dalys Curry, tha se ajo e pa për herë të fundit stërgjyshen e saj të martën mbrëma, kur ajo e solli në shtëpi pas një vizite në spital.
Aktorja e njohur si Mami D, e cila luajti edhe në filmin “Lady Sings the Blues”, ishte 95 vjeçe dhe prej kohësh kishte dalë në pension.
Zjarrfikësit e Los Anxhelosit filluan të përgatiten për erëra të forta gjatë natës, erëra që mund të nxisin më tej dy zjarre monstruoze që kanë rrafshuar tashmë lagje të tëra të qytetit, kanë vrarë të paktën 24 njerëz dhe kanë djegur një zonë sa kryeqyteti i SHBA-së.