Një ditë pas reshjeve të rrëmbyeshme, tetovarët pastrojnë shtëpitë dhe bodrumet e tyre

Një ditë pas reshjeve të rrëmbyeshme, tetovarët pastrojnë shtëpitë dhe bodrumet e tyre

Gazetar: Mefail Ismaili

Një ditë pas reshjeve të rrëmbyeshme në rajonin e Tetovës, banorët pastrojnë shtëpitë dhe bodrumet e tyre dhe bëjnë vlerësimin e dëmeve. Alsat mëson se gjatë ditës te autoritetet lokale, 28 familje dhe biznese kanë raportuar për dëme nga vërshimet. Ndërsa me pronarët e bizneseve të cilët i takuam, thonë se do u duhet kohë ti kthejnë bizneset e tyre në funksion.

“Kemi dëme të mëdha, këto automjete janë të klientëve, kemi komorën atje dhe makinerinë. A e keni aparaturën funksionale? Jo një metër e gjysmë ka qenë në ujë, duhet të kontrollohet”.

“Gjendja është keqësuar nga ora një, kur ka ardhur uji, e gjitha këtu ka qenë e mbuluar me lloç, siç e shihni edhe vetë, tani mendojmë ta pastrojmë për të shohim si do të qëndrojë punë. A keni shumë dëme? Kemi dëme për të pasur, por dëmet edhe paguhen, ta shohim çka do mund të largojmë nga dëmi, e çka nuk do mundemi të heqim nuk do të mundemi”.

Ende nuk dihet se sa janë dëmet materiale të cilat i ka shkaktuar shiu në Tetovë. Kryetari i Këshillit komunal në Tetovë, Besar Durmishi, thotë se presin raportin e Shtabit të krizës.

“Dje patëm mbledhje me shtabin e krizës, ata sot janë duke punuar. Do u duhet dy apo tre ditë derisa ta përfundojnë procesin e vlerësimit të dëmeve materiale të cilat ka shkaktuar vërshimet e shiut dje apo pardje, ndërsa për raportin që do të na japin do u njoftojmë edhe juve”, tha Besar Durmishi, kryetar i Këshillit Komunal Tetovë.

Pas reshjeve të mëdha të shiut, në Tetovë u bllokuan shumë rrugë në Malësinë e Sharrit nga rrëshqitjet e dheut, uji dhe lloçi mbushën përplot shumë podrume të shtëpive dhe bizneseve, si dhe shumë automjete ngecën në ujë. Reshjet e mëdha të shiut dëmtuan po ashtu edhe të mbjellat bujqësore./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button