Një përqindje në rritje e njerëzve në Evropë po vdesin nga konsumimi i tepërt i alkoolit

Hulumtimi i fundit i kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregon se në vitin 2019 ka pasur 2.6 milionë vdekje të lidhura me alkoolin

Shumica e vdekjeve janë regjistruar në Evropë.

Siç thekson më tej OBSH, njerëzit kanë më shumë gjasa të vdesin nga problemet e lidhura me alkoolin në Evropë se kudo tjetër në botë.

Në nivel global, pati 2.6 milionë vdekje të lidhura me alkoolin në vitin 2019, 2.5 për qind më pak nga viti 2010, por ende “në mënyrë të papranueshme”, tha Vladimir Pozniak, i cili drejton divizionin e alkoolit, drogës dhe varësisë në Divizionin e Shëndetit Mendor dhe Substancave të OBSH-së.

Rajoni evropian kishte shkallën më të lartë të vdekjeve të lidhura me alkoolin me 52.9 për qind për 100,000 banorë, si dhe shkallën më të lartë të çrregullimeve të përdorimit të alkoolit në botë.

Shkalla e çrregullimeve të përdorimit të alkoolit u ul gjithashtu në Amerikën dhe vendet e Paqësorit Perëndimor, ndërsa u rrit në rajonet e Afrikës, Mesdheut Lindor dhe Azisë Juglindore.

Përdorimi i drogës dhe varësia janë gjithashtu sfida të mëdha shëndetësore globale.

Sipas raportit, në vitin 2019, pothuajse 600,000 njerëz vdiqën si pasojë e përdorimit të drogave psikoaktive. Çrregullimet e përdorimit të substancave janë të lidhura ngushtë me kushtet e shëndetit mendor dhe mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve jo të transmetueshme, infeksioneve të lidhura me injeksione dhe vdekjeve aksidentale.

Qasja në trajtim për problemet e përdorimit të substancave mbetet një pengesë kryesore në pjesën më të madhe të botës, sipas një raporti të OBSH-së. Në të gjitha vendet e anketuara, marrja e trajtimit varionte nga më pak se një përqind në 35 përqind.

Dallime ekzistojnë edhe brenda vendeve. Shumica e vdekjeve të lidhura me alkoolin janë te meshkujt, ndërsa çrregullimet e përdorimit të substancave prekin në mënyrë disproporcionale njerëzit me status më të ulët socio-ekonomik.

Pandemia e koronavirusit ka ndërprerë mbledhjen dhe analizën e të dhënave, gjë që ka vonuar me dy vjet publikimin e raportit.

LEXO EDHE:

Back to top button