Një përvjetor ndryshe i pavarësisë së Kosovës

Kosova po shënon sot 13 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Përkundër pandemisë, kjo ditë mblodhi shumë qytetarët në sheshet e Prishtinës.

Manifestimi qendror u mbajt në kazermën “Adem Jashari”. Presidentja në detyrë Vjosa Osmani bëri thirrje për unifikim për t’i dhënë kuptim shtetit të Kosovës.

Përvjetori i sivjetmë e gjen vendin të sapo dalë nga zgjedhjet parlamentare. Javët në vazhdim pritet të shënohen me formimin e Institucioneve të reja. Presidentja në detyrë Vjosa Osmani dhe kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti të cilët fituan zgjedhjet e 14 shkurtit, bashkë bënë homazhe në Prekaz. Thanë se familja Jashari është simbol i sakrificës më sublime të popullit shqiptar për liri dhe se ky është vendi i kushtrimit për çlirim.

“Këtu është vendi ku çdo ditë duhet t’ia kujtojmë vetes dhe botës se këtu gjenden dëshmitë e gjenocidit serb, dëshmitë e qëllimit të Serbisë për shfarosjen e popullit shqiptar”, tha Vjosa Osmani, president në detyrë.

“Tre brezat e familjes Jashari luftuan dhe u sakrifikuan, gjysma e tyre burra e gjysma gra dhe fëmijë, dhe duke u rikthyer këtu ne e bëjmë më të fuqishëm shtet ndërtimin demokratik, zhvillimin socio-ekonomik dhe drejtësinë institucionale sepse i tillë është edhe amaneti i dëshmorëve dhe dëshirat e popullit tonë”, theksoi Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes.

Në emër të familjes Jashari, Bekim Jashari kërkoi bashkim për t’i çuar përpara proceset.

“Përndryshe po vazhduam të jemi të përçarë mund të na zgjasë edhe më shumë kohë proceset të cilat ka nevojë shumë ky vend t’i përfundojë. Dhe sidomos për t’i dhënë zhvillim ekonomik këtij vendi. Vetëm atëherë mund të themi që jemi duke realizuar amanetin e dëshmorëve”, theksoi Bekim Jashari, familjar i Jasharajve.

Në familjen Jashari më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.

Në 13-vjetorin e pavarësisë, Forca e Sigurisë së Kosovës po vlerësohet histori suksesi përgjatë rrugëtimit të shtet ndërtimit. FSK-ja aktualisht ka 2 mijë e 747 ushtarë aktivë ndërkohë synon që të ketë 5 mijë ushtarë aktivë dhe një forcë rezervë prej 3 mijë trupash.

“FSK është një storie e suksesit gjatë këtyre 13 viteve, e thonë të gjithë dhe shihen rezultatet që jemi institucioni më i respektueshëm në vend”, tha Rrahman Rama, komandant i FSK-së.

Në këtë përvjetorë, papunësia mbetet shqetësimi dhe problemi kryesor. Më shumë se 30 për qind e popullatës janë të papunë. Kritika po drejtohen për institucionet që ende nuk kanë hartuar politika të duhura për hapjen e vendeve të punës.

“Kosovës i shtohen gati çdo vit mbi 25 mijë të rinj të cilës hyjnë në tregun e punës. Dhe në anën tjetër, shkalla e krijimit të vendeve të punës është e ulët dhe e pamjaftueshme për t’i akomoduar gjithë këto nevoja”, theksoi Jeton Mehmeti, Instituti GAP.

Në 13 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, me drejtësinë në Hagë po përballen ish drejtuesit e UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, e Rexhep Selimi. Formimit të Speciales i parapriu një rezolutë në KE që kërkonte hetim mbi supozimet e senatorit zviceran Dick Marty. Ai pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Edhe pse Pavarësinë e Kosovës, deri më tani e kanë njohur mbi 100 shtete të botës, përfshirë së fundmi edhe njohjen nga Izraeli, me bllokimin e Rusisë, Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së.

Shkëlzen Aqifi

LEXO EDHE:

Back to top button