Pakoja e pestë, VMRO: Nuk ndihmon ekonominë e post-pandemisë

Masa primare dhe më e rëndësishme e pakos së pestë ekonomike, sipas VMRO-DPMNE-së, duhet të ishte sigurimi i të paktën dy milionë vaksinave deri në fund të korrikut. Pa këtë masë, Trajko Sllaveski vlerëson se pa arsye shpenzohen paratë e marra borxh nga jashtë, të cilat shteti do të duhet t’i kthejë me kamatë.

“Edhe këtë herë si gjatë promovimit të disa pakove paraprake, një pjesë e masave përshkruhen nga njëra pako tek tjetra, pa realizimin e duhur. Kjo flet për kapacitetin e ulët të Qeverisë për vlerësimin e pasojave të krizës dhe targetimin e dobët të masave. Mundemi të shohim se propozohet paketë masash me qëllimin e vetëm për mjegullimin e opinionit, gjë që nuk do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend dhe nënkupton vetëm blerjen e kohës nga ana e Qeverisë”, tha Trajko Sllaveski, VMRO-DPMNE.     

Por, LSDM-ja, pakon e pestë ekonomike e cilëson si një hap tjetër drejt rikuperimit të ekonomisë dhe kthimit në gjendjen para virusit.

“Kjo pako e re e masave ekonomike përmban 29 masa me vlerë prej 160 milion eurosh. Qëllimi është të vijmë deri tek veprimet që tashmë i njohim, për rritje ekonomike mes 4 dhe 5%, ashtu siç e kishim para pandemisë me virusin korona. Masat janë sjellë përmes qasjes inkluzive dhe me partneritet me të gjithë palët e prekura. Për shumë prej masave është paraparë që mbështetja të zgjasë deri në fund të vitit 2021”, pohoi Kostadin Kostadinov, LSDM.

Pushteti dhe opozita kanë pasur përplasje të ashpëra për efikasitetin e të gjitha pakove paraprake ekonomike të zbatuara nga Qeveria.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button