Një vit nga formimi, ASK-ja e mbyllur për mediat


Një vit nga fillimi me punë, institucioni që zëvendësoi Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, Agjencia për Siguri Kombëtare, mbetet e mbyllur për mediat. Alsat prej javësh nuk ka arritur të marrë përgjigje për të arriturat e këtij institucioni brenda një viti, në reformimin e funksionimit, për dallim prej asaj që bënte DSK-ja famëkeqe.

ASK-ja nuk përgjigjet në pyetjen se pse punonjës të saj vazhdojnë të ndalojnë qytetarë vendorë dhe të huaj, ndërkohë që sipas ligjit nuk e kanë më autorizimin policor? Për të bërë këtë, siç mësojmë jozyrtarisht, nëpunës të ASK-së përdorin bexhat e vjetër të DSK-së dhe shkelin autorizimet. Siç mëson Alsat, ky institucion akoma nuk ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me institucione të tjera dhe as nuk ka përgatitur akte nënligjore për punën e tij. Nuk ka as marrëveshje kolektive për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve.

Rreth 1800 persona presin shqyrtimin e kërkesave të tyre për marrje nënshtetësie ose heqje nënshtetësie. Kërkesat e tyre rrinë në sirtarë dhe nuk janë shqyrtuar prej një viti që nga formimi i këtij institucioni. Alsat nuk mori një përgjigje se pse kjo është kështu. Nuk dihet se kur për herë të fundit është kryer një verifikim dhe është dhënë pëlqim për dhënien e një nënshtetësie.

Drejtori Viktor Dimovski në paraqitjen e tij të parë dhe të vetme para mediave më 1 shtator të 2019-tës kishte premtuar rritjen e përfaqësimit të drejtë etnik të shqiptarëve në ASK, prej 16% drejt kufirit kushtetues prej të paktën 25%. Nuk ka akoma përgjigje se në ç’nivel është përfaqësimi i drejtë në ASK, një vit më vonë.

ASK-ja nuk ka përgjigje as për menaxhimin e situatës me të punësuarit gjatë pandemisë. Nuk dihen kapacitetet reale të Agjencisë për ruajtjen e sigurisë së shtetit duke qenë se nëpunësit janë ndarë në grupe duke punuar dy ditë nga Agjencia dhe dy ditë nga shtëpia.

Një vit më parë, reformat në shërbimet e sigurisë parashihnin edhe formimin e një Këshilli për koordinim të njësive të sigurisë dhe zbulimit, në të cilin do të bënin pjesë më shumë institucione nga e njëjta fushë. Alsat pyeti dhe nuk mori përgjigje as sa herë është mbledhur ky këshill dhe çfarë strategjie ka hartuar në përmirësimin e cilësisë së aktiviteteve të ASK-së.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button