Norris: Maksi dhe Oskari më vështirësuan rrugën tej mase deri te titulli
Lando Norris shënoi suksesin më të madh në karrierën e tij duke u kurorëzuar kampion i botës në Formula 1 për sezonin 2025. Piloti britanik ia arriti kësaj duke zënë vendin e tretë në garën e fundit të kalendarit, Çmimin e Madh të Abu Dabit, në pistën “Jas Marina”. Me këtë pozicion, ai siguroi pikë të mjaftueshme për të fituar titullin në një nga sezonet më të tensionuara dhe më të barabarta të dekadës së fundit.
Pasi kaloi vijën e finishit dhe titulli u konfirmua zyrtarisht, Norris nuk i fshehu emocionet dhe foli me sinqeritet:
“Kam kohë që s’kam qarë. Nuk mendoja se do të qaja, por e bëra. Ishte një rrugë e gjatë. Së pari dua të falënderoj njerëzit e mi, McLaren, prindërit e mi, ata më kanë mbështetur që në fillim.”
Norris theksoi se përballjet me Verstapenin dhe Piastri gjatë gjithë sezonit ishin rraskapitëse, por njëkohësisht edhe motivuese.
“Ndjenja është e pabesueshme. Tani e di si ndihet Maks, të paktën pak. Dua të përgëzoj Maksin dhe Oskarin, dy konkurrentët e mi më të mëdhenj gjatë gjithë sezonit. Ishte kënaqësi të garoja me ta. Ishte një nder, mësova shumë nga të dy. Po e shijoj, ishte një vit i gjatë. Ia dolëm, jam shumë krenar për të gjithë,” tha Norris, përpara se të komentonte edhe garën në Abu Dabi.







