Nxënësit nesër kthehen në bankat shkollore

Nxënësit nesër kthehen në bankat shkollore

Gazetare: Ajnur Bafqari

Nesër fillon viti i ri shkollor në shkollat fillore dhe të mesme. Këtë vit në bankat shkollore do të ulen 245 mijë nxënës, numër ky që, sipas Ministrisë së Arsimit shënon ulje për 17 mijë në 7 vitet e fundit. Mësimi fillon me prezencë fizike, me përjashtim të disa shkollave që do të zhvillojnë mësim online për shkak të mospërfundimit të rikonstruimeve në kohë si dhe mungesës së pajisjeve si banka dhe karrige.

“Numri është ulur për 17 mijë, në 7 vitet e fundit. Në këtë periudhë të njëjtë, numri i nxënësve të klasës së parë është ulur për rreth 3,5 mijë. Është shkatërruese dhe dëshpëruese. Është rezultat i politikave të këqija jo vetëm në arsim por edhe në të gjitha segmentet shoqërore”, tha Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Ministrja e Arsimit siguron se në ditën e parë të vitit shkollor, nxënësit do të kenë libra apo materiale mësimore në të gjitha lëndët. Materiale nuk do të ketë vetëm në lëndët për gjuhë të huaja pasi siç sqaroi ka dështuar tenderi dhe aktualisht ndodhet në procedurë të ankesës.

“Ajo që të gjithëve u intereson më së shumti, a do të ketë libra në vitin e ri shkollor. Konfirmoj se nesër do të ketë libra gjithandej dhe për të gjithë. Të gjitha librat që janë miratuar dhe të shtypura, tashmë janë dorëzuar. Deri më tani në këto 60 ditë, kemi dorëzuar mbi 360 mijë kopje nga të gjitha librat dhe materialet e miratuara dhe shtypura… Librat tashmë janë distribuuar nëpër shkolla. Nëse ndodh që ndonjë nxënës apo prind të ankohet për libër të vjetër, ju informoj se blerja e librave do të vazhdojë sipas nevojave të shkollave”, shtoi Vesna Janevska, Ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Ministrja e Arsimit tha se këtë vit nuk do të ketë pushim pranveror. Ajo theksoi se në 140 shkolla do të mbahet mësim vetëm me një ndërrim, ndërsa po bëhen përpjekje që një gjë e tillë në vitet e ardhshme të zbatohet në të gjitha shkollat në vend./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button