OBSH: Një numër i madh evropianësh vdesin nga ushqimi ultra i përpunuar, duhani dhe alkooli

OBSH: Një numër i madh evropianësh vdesin nga ushqimi ultra i përpunuar, duhani dhe alkooli

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), 2.7 milionë njerëz vdesin çdo vit në të gjithë Evropën nga ushqimi ultra i përpunuar (UPF), alkooli, duhani dhe lëndët djegëse fosile.

Ekspertët thonë se industritë e fuqishme shkaktojnë shëndet të keq dhe vdekje të parakohshme duke ndërhyrë në politikat dhe përpjekjet e qeverisë për të reduktuar rastet e kancerit, sëmundjeve të zemrës dhe diabetit.

Në një raport të ri, OBSH bën thirrje për “rregullim të rreptë për të reduktuar fuqinë e industrisë” dhe u kërkon qeverive të iniciojnë politika shëndetësore që “parandalojnë, vonojnë, dobësojnë ose ndalojnë”.

OBSH raportoi se “më shumë se 7,400 njerëz vdesin çdo ditë” në Evropë nga produktet dhe praktikat e dëmshme “të promovuara nga industria tregtare”.

“Këto produkte komerciale janë përgjegjëse për 24 për qind të të gjitha vdekjeve, përfshirë vdekshmërinë e lartë nga sëmundjet kardiovaskulare (51,4 për qind) dhe kancerin (46,4 për qind)”, tha OBSH.

Raporti thekson se industria e duhanit, alkoolit, ushqimit ultra të përpunuar dhe karburantit janë plotësisht ose pjesërisht përgjegjëse për 2.7 milionë vdekje në vit në Evropë.

Ndërkohë, tabloja globale tregon se duhani, UPF, lëndët djegëse fosile dhe alkooli shkaktojnë 19 milionë vdekje në vit, ose 34 për qind të të gjitha vdekjeve.

Pas analizimit të të dhënave, OBSH tha se 1.15 milionë vdekje në vit në Evropë shkaktohen nga pirja e duhanit, 426.857 nga alkooli, 117.290 nga një dietë e pasur me mish të përpunuar dhe 252.187 nga një dietë e pasur me kripë.

Këto shifra nuk përfshijnë as vdekjet e shkaktuara nga obeziteti, presioni i lartë i gjakut, sheqeri i lartë në gjak ose kolesteroli i lartë, të gjitha të lidhura me dieta jo të shëndetshme, thuhet në raport.

Raporti u bën thirrje qeverive të njohin taktikat e përdorura nga industria, të tilla si fajësimi i individëve, marketingu, përhapja e dezinformatave, promovimet në mediat sociale, lobimi dhe “minimi i shkencës”, siç është financimi i kërkimit që çon përpara qëllimet e tyre.

LEXO EDHE:

Back to top button