Ognjancë, nxënësit s’kanë kushte për mësim
Thuajse 80 % e nxënësve të shkollës fillore periferike “Koço Racin” të fshatit Ognjancë të komunës së Petrovecit nuk kanë mundësi ekonomike të përfshihen në mësimin online. Siç tha përgjegjësi i shkollës, Ahmet Neziri, shumë prej familjeve kanë tre ose katër fëmijë në shkollë ndërkohë që posedojnë vetëm një telefon. Me qëllim që fëmijët mos të humbin nga mësimi, shkolla ka lejuar që nxënësit, në grupe të vogla e sipas protokolleve, fizikisht të vijnë në shkollë të konsultohen me mësuesit dhe të marrin materialet e shkruara.
E pamë të arsyeshme edhe me kolegë, në konsultim me kolegë, këtë mënyrën që zgjidhëm se këta me të vërtet nuk kanë mjete të kyçen në online. E mundësuam këtë mënyrë që prezenca fizike, sipas protokollit i përmbahemi, nga tre nxënës edhe në mënyrë përshkruese u japim materiale, ndonjë sqarim por shumë pak, I shpërndajnë arsimtarët materialin edhe I lirojnë nxënësit të kthehen prapë në shtëpi.
Nxënësit në shkollë vijnë fizikisht një herë në javë. Siç thonë ata, mënyra e këtillë e të mësuarit është mundësia e vetme për të mos mbetur jashtë procesit mësimor.”
“Në shtëpi, sa fëmijë jeni që jeni në shkollë? Tre motra dhe nji vëlla. Të gjithë e ndiqni mësimin vetëm me një telefon? Po. Nuk kemi mundësi me ble telefon tjetër, të gjithë me një telefon punojmë”.
“Arsimtarët na kanë mundësuar të vijmë në shkollë me prezencë fizike, me i marrë detyrat që duhet t’i bëjmë, mi dërguar në shtëpi, me i bë dhe prapë me i sjell në shkollë. A keni mundësi në shtëpi ta ndiqni mësimin online. Pse s’kemi mundësi me ndjek mësimin online vijmë në shkollë”
“Frëngjisht nuk mundem me mësuar online edhe matematikë. Se s’ka kush të ma shpjegoj detyrën në matematikë. Sikur të ishit në shkollë do të kishte qenë më lehtë? Po…sepse arsimtari çdo nxënës e nxjerr në dërrasë dhe ia shpjegon detyrat”
Në shkollën periferike “Koço Racin” të fshatit Ognjancë mësojnë rreth 180 nxënës nga klasa e para e deri atë të nëntë. Pavarësisht numrit të vogël të nxënësve dhe klasave me nën 20 nxënës, Ministria e Arsimit nuk lejoji që shkolla në fjalë të zhvilloj mësim fizik edhe për nxënësit e klasës së katërt deri në atë të nëntë. Ndryshe nga gjendja në teren, nga Ministria e Arsimit vazhdimisht përsërisin se në mësimin online janë përfshirë suksesshëm mbi 90 % e nxënësve.
Melihate Rustemi








