Ohër, ka interesim për hotele të reja

Gazetar: Miki Trajkovski

Interesimi për investime të huaja në Ohër për ndërtimin e hoteleve dhe objekteve të tjera turistike apo për blerjen e patundshmërive është i madh. Por ekziston një problem për realizimin e kësaj. Fillimisht bëhet fjalë për mungesën e Planeve të Detajuara Urbanistike për lokacionet më atraktive. Sipas agjencive të patundshmërive, shumë klientë të huaj vijnë dhe heqin dorë nga planet për investime kur shohin se ka probleme urbane.

“Ne kishim lokacion në Voskë, direkt në liqen, kishim belgë dhe francezë me kontrata të gatshme për ta blerë dhe për të ndërtuar hotel me katër kate. Plani i detajuar urban dështoi për shkak të një procesi gjyqësor. Kemi humbur investitor dhe gastronom serioz”, tha Nikolla Ivançiq- pronar i agjencisë së patundshmërive

Tre vite më parë një kompani nga Holanda ndërtoi dy ndërtesa banimi në Peshtan, por u ndalën me kaq.

“Francezët, holandezët dhe belgët blenë 99 për qind të apartamenteve atje. Nëse do të krijonim kushte, ato mund të kishin mbetur. Por u tërhoqën. S’mund të presin 10 vite për një plan të detajuar urbanistik”, shtoi Ivançiq

Për momentin, të huajt që duan të kenë pronë në Ohër vendosin të blejnë apartamente private nga qytetarët.

“Ka edhe kolegë tanë, ish gjykatës nga Strasburgu, avokatë, që kanë blerë banesa apo shtëpi në Ohër. Dhe në vend që të krijojmë kushte për të tërhequr njerëz të tillë apo edhe më të rëndësishëm, ne bëjmë politikë që këtu në plazh nuk ka ku të shkojë, nuk ka tualet”, tha Igor Kiçec- avokat.

Agjencitë e patundshmërive kërkojnë bashkëpunim më të madh me komunën dhe pushtetin qendror. Sipas tyre, shumë shtetas të huaj kanë interes që ditët e pensionit t’i kalojnë në Ohër për shkak të natyrës dhe shpenzimeve të përballueshme të jetesës për sa i përket të ardhurave.

LEXO EDHE:

Back to top button