Ohër, pas 12 vitesh infermierja u përjashtua nga puna!
Ohër, pas 12 vitesh infermierja u përjashtua nga puna!

Gazetar: Miki Trajkovski
Pas 12 viteve punë në spitalin e përgjithshëm në Ohër, 49-vjeçarja Violeta Todoroska është larguar nga puna. Ajo gjithashtu ka punuar si vullnetare gjashtë vite, pas çka mori ofertë pune. Por në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, për shkak të disa sëmundjeve, ajo thotë se disa herë është detyruar të marrë pushim mjekësor. Ajo ka munguar në punë gati dy muaj. Por pretendon se gjatë gjithë kohës ka qenë e mbuluar me dokumentacion përkatës.
“Isha në pushim mjekësor sepse kisha probleme me dorën. Më pas hapa pushim mjekësor në repartin infektiv sepse kisha grip të rëndë. Pastaj, për shkak se kam gjëndrën tiroide, doktoresha Angelleska më dha 15 ditë pushim mjekësor. Duhej të filloja punën, por u rrëzova në banjë. Shkova në spitalin ortopedik, ku mjeku hapi pushim mjekësor 15 ditor. Dhe në atë periudhë të sëmundjes interne dhe ashtit, nuk u paraqita në punë 3-4 ditë dhe më larguan. Edhe motra kryesore, Aneta Vollkanoska, më premtoi se do t’i mbulojë këto ditë ose t’i marrin nga pushimi vjetor ose të më dënojnë”, deklaroi Violeta Todoroska, ish punonjëse e spitalit në Ohër.
Ajo ka dorëzuar ankesë ndaj vendimit të spitalit, por edhe pas dy muajve thotë se nuk ka marrë asnjë përgjigje. Violeta jeton e vetme në kushte të rënda, pa energji elektrike dhe pa ngrohje.
“Vendimi i tyre është më datë 10 nëntor kurse në atë ditë jam çregjistruar kurse vendimin e kanë dorëzuar më 16 nëntor. Për mua kjo është çnjerëzore… më lanë pa rrymë, pa dru dhe pa ushqim. Fqinjët më japin diçka, edhe nëna ime, por kjo nuk është zgjidhje…”, tha Violeta Todoroska, ish punonjëse e spitalit në Ohër.
Violeta ka punuar në disa reparte në spitalin e Ohrit siç është Reparti i Geriatrisë dhe sëmundjeve infektive. Në sqarimin nga spitali për largimin nga puna, thuhet se Violeta nuk është paraqitur në punë më shumë se tre ditë pune dhe se nuk ka dhënë arsyetim për këtë. Alsat u përpoq të merr përgjigje nga drejtori i spitalit Asen Shajn. Na tha se është në takim dhe se do të na kërkonte më vonë. Por deri më tani ai nuk i është përgjigjur pyetjeve tona. /Alsat.mk