OHËR / Revizori, parregullsi në punën e komunës

OHËR / Revizori, parregullsi në punën e komunës

Gazetar: Miki Trajkovski

Ndërtime të përfunduara dhe aktivitete ndërtimore në objekte për banim individual dhe kompleks hotelier, për të cilat nuk është paguar kompensimi për rregullimin e tokës ndërtimore dhe nuk janë lëshuar leje ndërtimi. Këto janë vetëm disa nga vërejtjet e përmendura në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit për Komunën e Ohrit për vitin 2024.

„Komuna nuk ka miratuar planet urbanistike për 20 vendbanime, nuk ka ndërmarrë masa për heqjen e objekteve të ndërtuara pa leje, veçanërisht në zonat e mbrojtura, vendosja e pajisjeve urbane bëhet pa leje dhe pa taksa komunale të paguara, ndërsa subvencionimi i ndërmarrjeve publike në shumën totale prej 36.505 mijë denarë është pa Program dhe pa miratim paraprak nga Këshilli – Enti Shtetëror i Revizionit“

  • Nuk ka masa për heqjen e objekteve pa leje ndërtimi
  • Vendosja e pajisjeve urbane, pa leje
  • Subvencione pa program, pa miratimin nga Këshilli

Më tej theksohet se në procedurat për përcaktimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje nuk janë respektuar afatet e përcaktuara me ligj dhe nuk është ndjekur pagesa e kompensimit për rregullimin e statusit juridik të objekteve të ndërtuara pa leje, i cili është me pagesë të shtyrë (12 këste mujore të barabarta), kështu që janë lëshuar vendime me vetëm një pagesë të kryer.

„Edhe pse Këshilli ka miratuar 1.748 vendime për përcaktimin e nevojës për miratimin e dokumentacionit urbanistik me qëllim integrimin e objekteve të ndërtuara pa leje, brenda pesë viteve nuk është vepruar sipas tyre. Për objektet pa leje që nuk plotësojnë kushtet për lëshimin e pëlqimit urbanistik janë miratuar 4.847 vendime për refuzim, por nuk janë ndërmarrë masa që ato të hiqen, edhe pse inspektorët e autorizuar të ndërtimit për periudhën 2019 – 2024 kanë lëshuar 456 akte administrative të formës së prerë për ndërtimet ilegale,“ deklaruan nga Enti Shtetëror i Revizionit.

  • 1748 vendime për dokumentacion urbanistik për objektet pa leje
  • Nuk është vepruar brenda 5 viteve
  • 4847 vendime për refuzim të kërkesave
  • 456 akte të formës së prerë për ndërtimet ilegale

Sa i përket ndërtimit të rrugëve komunale, stacioneve të pastrimit dhe projekteve infrastrukturore, theksohet se nuk është siguruar leje ndërtimi, aktivitetet ndërtimore janë kryer pa projekt dhe dokumentacion projektues.

„Gjatë vitit 2024, 23 objekte gastronomike përdorin hapësirë publike pa leje për vendosjen e pajisjeve urbane dhe pa paguar taksë komunale për përdorimin e hapësirës, ndërsa lejet e lëshuara edhe pse kanë të bëjnë me periudhë prej 3 muaj, përdoren për 12 muaj,“ thanë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

  • 23 objekte gastronomike, pajisje urbane pa leje
  • Nuk kanë paguar as taksë komunale
  • Lejet 3-mujore përdoren 12 muaj

Lidhur me konstatimet e Revizionit, Nga Komuna e Ohrit thonë se menjëherë janë ndërmarrë aktivitete për veprim sipas rekomandimeve të dhëna, përmes përcaktimit të masave konkrete dhe ngarkimit të institucioneve kompetente dhe personave përgjegjës. Thonë se komuna e Ohrit mbetet e përkushtuar në përmirësimin e funksionimit financiar, transparencës në përputhje me procedurat ligjore dhe rregulloret në fuqi. /alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button