OKB: Rreth një milion ukrainas u larguan nga vendlindja për vetëm një javë
Gazetare: Vjollca Aliti
Të paktën një milion njerëz janë larguar nga Ukraina gjatë këtyre shtatë ditëve që nga pushtimi Rus, tha Agjencia e OKB-së për refugjatët, e cila shpërnguljen e ukrainasve e cilësoi si eksodin më të shpejtë të refugjatëve për këtë shekull, shkruan Alsat.
Shifra prej 1 milion sipas UNHCR përbën më shumë se 2% të popullsisë së Ukrainës ndërsa OKB paralajmëron se flukset dalëse janë larg përfundimit. Sipas OKB-së pritet që deri në 4 milionë njerëz të largohen nga Ukraina.
“Unë kam punuar në emergjencat e refugjatëve për gati 40 vjet dhe rrallë kam parë një eksod kaq të shpejtë si ky. Orë pas ore, minutë pas minutë. Më shumë njerëz po ikin nga realiteti i tmerrshëm i dhunës. Të shumtë janë zhvendosur brenda vendit. Dhe nëse konflikti nuk përfundon menjëherë, miliona të tjerë ka të ngjarë të detyrohen të ikin nga Ukraina”, u shpreh Filippo Grandi, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.
Vetëm në Rumani dhe Hungari dhjetëra mijëra refugjatë nga Ukraina kanë hyrë ditët e fundit.
Në mesin e refugjatëve të cilët ikën për në Hungari ishin edhe rreth 200 fëmijë me aftësi të posaçme banorë të dy jetimoreve për personat me aftësi të kufizuara në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Drejtoresha e jetimores tha se raketat dhe të shtënat me pushkë pranë jetimores i kishin detyruar ata të evakuoheshin dhe të shkonin për siguri në BE.
“Jetimoret gjenden mu aty ku kanë fluturuar raketat, ku ka pasur breshëri pushkësh. Një stacion metroje pranë jetimores është hedhur në erë”, deklaroi Larissa Leonidovna, drejtore e jetimores.
Ndërkohë Ukrainën e lëshuan edhe mijëra studentë indianë që studiojnë në Ukrainë pas presionit mbi qeverinë indiane për të tërhequr qytetarët e saj veçanërisht pasi një student vdiq nga bombardimet në Kharkiv të martën. Autoritetet thanë se rreth 17,000 nga rreth 20,000 qytetarë indianë në Ukrainë ishin larguar dhe Nju Delhi po përpiqej të evakuonte pjesën tjetër në vendet e afërta nga ku mund të ktheheshin në shtëpi.
“Informoni zyrtarët tanë të lartë, ambasadën, kryeministrin, që të sjellin trupin e pajetë të djalit tim”, u shpreh Shekharappa Gyandagoudar, babai i studentit të vrarë indian.
“Unë kurrë nuk kam parë një skenë të tillë në jetën time, kurrë nuk kam parë këtë lloj skene gjatë gjithë jetës sime. Më kujtohet një sirenë që ra në mëngjes, na kërkuan të futeshim në bunkerë”, tha Atul Kumar, student i mjekësisë.
Në kufirin Rumani – Ukrainë grupe të shumta vullnetarësh u mblodhën për të ndihmuar personat në nevojë të cilët kishin lënë Ukrainën. Nga të gjitha pjesët e Evropës, civilë dhe organizata humanitare u mblodhën për të sjellë ushqime, batanije dhe sende të tjera bazë.
“Nuk kemi qenë kurrë në një situatë të tillë, Zoti na ruajt. Sigurisht që kemi fëmijë dhe nipa, nuk duam të përfundojmë kështu. Zoti na ruajt nga kjo situatë”, theksoi Ana Ometi, Vullnetare.
Ndihmat për refugjatët vijnë nga shumë vende të botës, si nga organizata jo qeveritare ashtu dhe nga vullnetarë civil. Mëngjesin e sotëm OKB në Moldavi iu shpërndau refugjatëve rreth 8,000 batanije termale si dhe pajisje të tjera për veshmbathje./Alsat.mk








