OKB, thirrje për armëpushim në Gaza e Liban
OKB, thirrje për armëpushim në Gaza e Liban

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për armëpushim në Gaza dhe Liban. Gjatë fjalës së tij përpara samitit të G20, Guterres u shpreh se për Lindjen e Mesme, nuk mund të ketë standarde të dyfishta. “Për Lindjen e Mesme, besoj se nuk mund të kemi standarde të dyfishta. Ne duhet të zbatojmë të njëjtat parime kudo. Ne duhet të zbatojmë Kartën, të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare. Ne kemi nevojë për paqe, por kemi nevojë për paqe në rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete. Ne kemi nevojë për paqe që garanton të drejtën e popullit palestinez si të drejtën e popullit izraelit, për të pasur një shtet dhe që të dy shtetet të jetojnë në paqe dhe siguri”, tha Guteres.
“Ndërsa luftërat po vazhdojnë, njerëzit po paguajnë një çmim të tmerrshëm. Ne duhet të ngremë zërin për paqen. Paqja në Gaza – me një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve dhe fillimin e një procesi të pakthyeshëm drejt një zgjidhjeje. Paqe në Liban, me një armëpushim dhe hapa domethënës drejt zbatimit të plotë të rezolutës së Këshillit të Sigurimit. Paqja në Ukrainë, duke ndjekur Kartën e OKB-së, rezolutat e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar. Paqja në Sudan, nga liderët që mbështeten te palët ndërluftuese për t’i dhënë fund dhunës së tmerrshme dhe krizës së dëshpëruar humanitare për civilët”, deklaroi Antonio Guterres, OKB. /Alsat.mk