Opozita akuzon Grubin për shndërrimin e Lotarisë Shtetërore në bastion të BDI-së dhe të biznesmenëve prorusë

Opozita akuzon Grubin për shndërrimin e Lotarisë Shtetërore në bastion të BDI-së dhe të biznesmenëve prorusë

Gazetar: Adrian Kerimi

VMRO-DPMNE-ja akuzon zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi dhe drejtorin e Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë, Përparim Bajrami se me firmën e tyre po fusin në biznesin e kazinove në shtet, sipas tyre mafiozin bullgar, Vasil Boshkov i cili na viti 2021 ndodhet në listën e zezë amerikane. Sipas opozitës maqedonase, kompanitë e Boshkovit ndodhen në listën e zezë, ndërsa Qeveria për interesa lukrative po bashkëpunon me to në kundërshtim me interesat e partnerit strategjik dhe me qëllim shtrirjen e ndikimit rus në vend.

“Patjetër duhet verifikuar: A ka lidhje insistimi i BDI-së, Artan Grubit dhe ish shefit të kabinetit, Përparim Bajrami tash drejtor i Lotarisë Shtetërore me veprimet e deritanishme të Boshkov me korrupsion dhe veprimet e tij korruptive në Bullgari. Sikur nuk mjafton se vendi ngulfatet në varfëri, ndërsa Qeveria e nënshkruajnë mbi licenca për kumar. Me nënshkrimin e Grubit, mafiozi në listën e zezë amerikane bëhet partner biznesi në Maqedoni”, deklaroi Naum Sotillkovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Lëvizja Besa sot kërkoi nga kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi t’i thonë arsyet e bllokimit të Ligjit për Lojërat e Fatit në Kuvend. Sipas Fadil Zendelit, arsyeja e vërtetë e bllokimit janë emrat të cilët Artan Grubi me firmën e tij i ka vendos drejtor dhe anëtarë të bordit drejtues e mbikëqyrës tek Lotaria Shtetërore dhe Video Lotaria e re Shtetërore.

“A është arsye e bllokimit të ndryshimeve në Ligjin për Lojërat e Fatit, Përparim Bajrami, njeri i afërt dhe asistent i Artan Grubit, drejtor i Lotarisë Shtetërore dhe bashkëqytetar i Arbër Ademit. Apo ndoshta Artin Spahiu, anëtar i kryesisë qendrore të BDI-së, i besuari Grubit dhe tani anëtar i bordit drejtues së video lotarisë së re shtetërore. Apo Havushe Leskovica Ismaili, shefe e kabinetit të Grubit e cila është anëtare e këshillit mbikëqyrës të video lotarisë shtetërore? A është shkak i bllokimit edhe Omer Bunjaku, mik personal i Artan Grubit dhe anëtar i këshillit mbikëqyrës të video lotarisë shtetërore të sapo krijuar. Apo Hadije Hoxha, bashkëshortja e pasardhësit të Grubit tek Lëvizja Zgjohu e cila është anëtare e këshillit mbikëqyrës?”, tha Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.

Me vendimin e fundit të Qeverisë është formuar bordi i shoqërive aksionare për rregullimin, zbatimin dhe kontrollin e lojërave të fatit online. Sipas arsyetimit të Lotarisë Shtetërore kjo bëhet me qëllim kontrollin e tregut të zi që mbizotëron në vend. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button