Opozita e gatshme për zgjedhje të reja, Mexhiti: Zgjedhjet janë të panevojshme

Opozita e gatshme për zgjedhje të reja, Mexhiti: Zgjedhjet janë të panevojshme

Gazetare: Fatlume Dervishi

Opozita thotë se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me zgjedhjet lokale, sfidë para të cilës i vendosi kryeministri Hristijan Mickoski gjatë ditëve të kaluara. Sipas LSDM-së, kurdo që të ketë zgjedhje, kjo parti do të jetë më e organizuar.

“Fakti që ka paralajmërime për zgjedhje të parakohshme parlamentare vetëm pesë muaj pas formimit të qeverisë tregon se qeverisë nuk i shkon. Anketat tona tregojnë se 65% e qytetarëve nuk janë të kënaqur me punë e qeverisë. Dmth dy nga tre qytetarë nuk janë të kënaqur nga politikat ekonomike, nga rënia e standardit jetësor dhe nga ajo që Shqipëria na tejkaloi në rrugën Evropiane. Kjo dhe koketimi me BDI-në është mesazh para së gjithash për VLEN-in dhe për ZNAM-in të cilët dukshëm kanë rol margjinalizues dhe mbështetje të përgjysmuar. Ne jemi të gatshëm të shkojmë në çfarëdo lloj zgjedhjesh nga sot e tutje dhe në çdo cikël të ardhshëm zgjedhjesh do të marrim pjesë më të organizuar dhe do të jemi më të suksesshëm”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Fronti Evropian kërkon zgjedhje, madje të trefishta.

“Ka edhe logjikë financiare, u shpreh për këtë çështje edhe kryetari z.Ahmeti për aspektin e logjikës financiare, madje shkoi edhe më larg që zgjedhjet e radhës do të jenë zgjedhje të trefishta. Duke pasur parasysh qeverinë pa legjitimitet etnik, duke pasur parasysh situatën me integrimet e vendit dhe marrëdhëniet ndëretnike, zgjedhjet janë të pashmangshme dhe të nevojshme për perspektivën e vendit. Dhe në atë dorë të zgjatur të z.Mickoski ne jemi të gatshëm për zgjedhje të parakohshme”, tha Blerim Bexheti, BDI.

Sipas VLEN, mbështetja e madhe që gëzon qeveria në Kuvend, siguron që pushteti është stabil dhe zgjedhjet të panevojshme.

“Prej viteve 90 nuk ka shënu asnjë qeveri përkrahje më të madhe në parlament. Për momentin ka 78 deputetë që e përkrahin dhe kjo po rritet dhe pritet që të tejkalojë numrin 80, pra është 2/3 e parlamentit. Dhe çdo gjë më shumë se kjo nuk çon për të hy në kalkulime për të këtilla. Kjo është shumicë stabile që mund të ndryshojë edhe Kushtetutën, edhe ligjet, edhe gjithçka që është në interes të qytetarëve dhe çdo gjë tjetër është e paarsyeshme dhe e palogjikshme”, u shpreh Izet Mexhiti, zv/kryeministër.

Sipas VMRO-DPMNE-së, në zgjedhje mund të shkohet kurdo që të dojë opozita.

“Raportet brenda koalicionit qeveritar janë shumë cilësore dhe ajo mund të shihet edhe nga politikat që prodhohen në realitet. Nëse z.Filipçe është vërtetë i sigurt në atë që thotë, ka grup parlamentar, le të dorëzojë kërkesë nga 18 deputetë dhe atë që e thotë ta konfirmojmë në zgjedhje”, nënvizoi Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

Temën e zgjedhjeve të parakohshme e hapi kryeministri Mickoski në seancën e fundit të pyetjeve të deputetëve. Ai u shpreh i bindur që do të merrte mbështetje madje më të madhe. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button