Opozita: Mungesa e datës, dështim i pushtetit

Opozita beson se mosmarrja e datës për fillimin e negociatave është pasojë e dështimit të politikave të pushtetit. Sipas VMRO-DPMNE-së, Maqedonia tashmë është poshtëruar para vendeve të tjera.
“Zaevi premtoi, Zaevi gënjeu. Tre vite premtime boshe se e kemi marrë datën dhe se fillojmë negociatat me BE-në, tre vite zhgënjim për qytetarët. Që para tre vitesh Zaevi premtoi se do të japë dorëheqje nëse nuk fillojmë negociatat me BE-në. Ndodhi ajo për të cilën paralajmërojmë tre vite; që data për fillimin e negociatave është e paarritshme deri sa Zaevi është në pushtet. Për fat të keq, Maqedonia mbetet para portave të BE-së dhe e poshtëruar kombëtarisht.”
Për Aleancën për Shqiptarët, pushteti arsyetohet me bllokimin nga Bullgaria, por arsyeja e mosmarrjes së datës është se BE-ja nuk pranon politikanë të korruptuar në familjen e saj.
“Nuk ka datë për bisedime me Bashkimin Evropian dhe që nga viti 2018 çdo gjë paska qenë gënjeshtër. Fotografitë në aeroplan, shpenzimet e shëtitjeve të kryeministrit e ministrave të Qeverisë do të mbeten vetëm një dëshmi e mashtrimit të këtij pushteti dhe shpenzime që do të duhet t’i paguajnë qytetarët e vendit. Çfarë duhet të ndodh më shumë se kaq që ministri jeshil i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, të pranojë se është i dështuar, çfarë duhet të ndodhë më shumë që kjo Qeveri të dorëhiqet dhe t’i rikthehet rivlerësimit nga sovrani.”.
Opozita ka kërkuar që të përfshihet në negociata për krijimin e një konsensusi kombëtar për kontestin me Bullgarinë.
Fatlume Dervishi