Opozita në Shqipëri nuk heq dorë nga protestat
“Aty ku ka pakënaqësi do ketë protesta, regjimi do të përballet me revoltën popullore”. Ky ishte reagimi i parë i kreut të PD-së Sali Berisha, pas protestës së mbrëmshme në Tiranë kur protestuesit me fishekzjarrë sulmuan kryeministrinë. Berisha tha se protesta nuk do të ndalet deri në largimin e Edi Ramës nga pushteti
“Përfaqësuan revoltën, zemërimin e një kombi të tërë. Kurrë ndonjëherë më e fuqishme kryengritja paqësore e shqiptarëve sa dje nuk ka qenë në rrugët e Tiranës. Mesazhi është i qartë, në Shqipëri në kushtet e autokracisë të sundimit të Edi Ramës nuk ka dhe s’mund të ketë më paqe dhe stabilitet. Beteja jonë do të njohë vetëm ngjitje, do të përfshijë gjithë Shqipërinë dhe do të jetë e pandërprerë deri në largimin përfundimtar të kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën” , deklaroi Sali Berisha, Kryetar i PD-së.
Ambasada gjermane në Shqipëri reagoi pas protestës së djeshme. Ambasada i dënon aktet e dhunës ndaj personave dhe objekteve duke i cilësuar si të papranueshme. Në protestën e mbrëmshme, protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarrë drejt Institucioneve shtetërore. Policia hodhi ujë dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit. Pas përfundimit të protestës, Policia e Shtetit njoftoi se gjashtë policë u lënduan gjatë përplasjes me protestuesit. / Alsat.








