Opozita: Qeveria të japë përgjegjësi për raportin e DASH

Opozita: Qeveria të japë përgjegjësi për raportin e DASH

Gazetare: Fatlume Dervishi

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, për opozitën është pasqyrë e gjendjes reale me institucionet e drejtësisë në vend, shkruan Alsat.

Sipas VMRO-DPMNE-së, pas të gjitha këtyre kritikave, qeveria duhet të japë dorëheqje.

“Ky është një numër i lartë i vërejtjeve pas të cilave secila qeveri normale do të jepte dorëheqje dhe do të kërkonte ta konfirmojë legjitimitetin e saj në zgjedhje. Për fat të keq, tek ata nuk shohim një përgjegjësi të tillë, por në periudhën e ardhshme, shumë më shpejtë se sa që e mendojnë, do të ketë zgjedhje të parakohshme në të cilat do të ketë ndryshime të mëdha dhe qeveria e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja do të vendosë sistem funksional në sundimin e së drejtës dhe do ta kthejë dinjitetin e gjyqësorit dhe prokurorisë”, tha Aleksandar Nikollovski, VMRO-DPMNE.

Sipas Aleancës për Shqiptarët, raporti konfirmon atë që opozita e bën të ditur vazhdimisht. Rastet ku funksionarë të lartë politik kanë mbetur pa marrë dënimin e merituar, sipas tyre, janë tregues për nivelin në të cilin ndodhet sundimi i së drejtës.

“Çfarë të themi tani? Ali Ahmeti përsëri do të dalë të thotë se edhe SHBA-të bëjnë presione ndaj gjyqësorit për shkak të korrupsionit në shtet siç e bën Aleanca për Shqiptarët? Këto fjalë që thotë departamenti amerikan nuk dallojnë prej fjalëve që themi ne për të cilat akuzohemi prej liderit të BDI-së se bëjmë trysni ndaj gjykatave. Nuk bëjmë trysni, ne e tregojmë të vërtetën. Ky është edhe obligimi jonë si opozitë. Të jemi korrektorë”, u shpreh Halil Snopçe, Aleanca për Shqiptarët.

Asnjëra nga partitë në pushtet, deri tani, nuk e ka komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në vend për vitin 2021./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button