Opozita s’heq dorë nga interpelanca për Spasovskin, Gashi: Do të mbështesim edhe mocionin e mosbesimit

Paraqitja e Sasho Mijallkovit para organeve të drejtësisë nuk e zbeh dëshirën e opozitës për të kërkuar përgjegjësi nga ministri Oliver Spasovski. Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa fton të gjithë deputetët, edhe ata të pushtetit, të reflektojnë. Kreu i Alternativës Afrim Gashi deklaroi se përveç interpelancës për Spasovskin, do të iniciojnë ose do të mbështesin çfarëdo iniciative për mocion mosbesimi për të gjithë kabinetin e Zaevit.

Nëse ngritet iniciativë për mosbesim ne do ta përkrahim – tha Afrim Gashi, Koalicioni ASH-AAA.

Koalicioni opozitar i cilëson si teatër ngjarjet e djeshme. Nga ana tjetër, interpelancën dhe mocionin e mosbesimit kishte premtuar se do t’i mbështeste edhe opozita maqedonase. Sipas VMRO-DPMNE-së, zhvillimet e një dite më parë nuk ishin gjë tjetër përveç se marrëveshje mes palëve.

Kemi bandë kriminele në pushtet e cila është në koalicion me ish struktura të caktuara. I sollën një cirk të vërtetë Maqedonisë në ditët e kaluara, cirk në të cilin u vërtetuam se nuk ka as D nga Drejtësia dhe sundimi i të drejtës por ka marrëveshje mafioze klanesh me të cilat duhet t’i iket sistemit të sundimit të së drejtës -u shpreh Aleksandar Nikollovski, VMRO-DPMNE.

Nga LSDM-ja nuk shohin asnjë arsye për mocionin e mos-besimit dhe as për interpelancën ndaj Spasovskit. Sipas tyre, opozita s’do të ketë mjaftueshëm vota nga deputetët.

Unë konfirmoj se shumica në Kuvend është stabile dhe iniciativat e tilla të VMRO-DPMNE-së dhe Hristijan Mickoskit do të bien. Të drejtën sipas Rregullores për cilindo deputet ose grup parlamentar në Kuvend sigurisht se nuk do ta marrim. Ne jemi këtu të përgjigjemi për situatën me shumicën parlamentare dhe ajo absolutisht është stabile -theksoi Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.

Opozita beson se së shpejti do të mund të bëhet shumicë e re.

Fatlume Dervishi

 

LEXO EDHE:

Back to top button