Opozita shprehet skeptike rreth rezultateve nga regjistrimi i popullsisë

Opozita shprehet skeptike rreth rezultateve nga regjistrimi i popullsisë

Gazetar: Adrian Kerimi 

Partitë opozitare kontestojnë rezultatet e regjistrimit të popullsisë. VMRO-DPMNE-ja vlerëson se regjistrimi nuk është i kompletuar, ndërsa Enti i Statistikave ka dështuar të identifikojë 7 për qind të qytetarëve të cilët kanë bojkotuar. Partia e Hristijan Mickoskit akuzon pushtetin se po interpreton rezultatet për qëllime politike. Nga kjo parti thonë se pas ardhjes së tyre në pushtet do të realizojnë regjistrim të ri elektronik të popullsisë.

“Duke pasur parasysh se një pjesë e maqedonasve e bojkotuan këtë regjistrim, numrat e ESHS-së duhej të publikoheshin vetëm pas definimit të përkatësisë së çdo qytetari i cili nuk është regjistruar ose deklaruar gjatë procesit. Për këtë arsye sot kemi regjistrim të pakompletuar”, tha Antonio Milloshoski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Aleanca për Shqiptarët thotë se regjistrimi nuk është i besueshëm dhe se kanë dilemat e tyre për rezultatet e shpallura.

“132 mijë qytetarë janë të imputuar dhe të pa regjistruar në terren, ndërsa vlerësojmë se numri prej 260 mijë qytetarëve që jetojnë jashtë vendit nuk përkon me realitetin dhe të dhënat e publikuara nga organizatat ndërkombëtare. Këto dy pika ngrenë dilemat se si është bërë regjistrimi i këtyre personave”, u shpreh Halil Snopçe, Deputet i ASH-së.

E Majta e cila ka bojkotuar procesin e regjistrimit të popullsisë e ka vlerësuar se i njëjti është jo legjitim dhe se nuk do ta njohë si proces statistikor. Nga ana tjetër, Qeveria vlerëson se pas 20 viteve u realizua baza e krijimit të politikave në të mirë të qytetarëve dhe biznesit. Sipas organit ekzekutiv, anëtarët e të cilit morën pjesë në shpalljen e rezultateve të dhënat nga regjistrimi janë të sigurta dhe të besueshme.

“Pas 20 viteve u realizua regjistrimi dhe i njëjti do të japë informacione relative për gjendjen reale të popullatës, i cili shtetit i mundëson krijimi e politikave në interes të qytetarëve dhe biznesit. Të dhënat nga regjistrimi u vlerësuan si të sigurta, të besueshme dhe në të mirën e planifikimit të politikave”, thonë nga Qeveria.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se regjistrimi nuk ishte aspak i lehtë, por sipas tij institucionet ia dolën me sukses.

“Shqiptarët janë 29.5% në popullsinë e përgjithshme dhe 24.3% në popullsinë rezidente, ndërsa në qytetin e Shkupit 22.8% (nga 20.04% në 2002). Përgëzoj të gjitha institucionet që ishin të përfshira…”, ka shkruar Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Rezultatet e regjistrimit të popullsisë i përshëndeti edhe kori diplomatik në vend./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button