Opozita shqiptare kërkon dorëheqje të ministrave, shpërndarje të Kuvendit dhe zgjedhje urgjente

Opozita shqiptare kërkon dorëheqje të ministrave, shpërndarje të Kuvendit dhe zgjedhje urgjente

Gazetare: Fatlume Dervishi

Dorëheqje të parevokueshme nga Artan Grubi, Bojan Mariçiq, Bujar Osmani dhe Krenat Lloga, kërkon Lidhja Evropiane për Ndryshim pas raportit kritikues të Komisionit Evropian për Vendin, shkruan Alsat.

Kërkesat e tyre nuk përfundojnë këtu. Alternativa, Besa dhe Lëvizja Demokratike kërkojnë shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje urgjente parlamentare dhe presidenciale së bashku dhe ridefinim të organeve gjyqësore. Në të kundërt, rrezikohet mbështetja e tyre për ndryshimet kushtetuese.

“Nëse këto kërkesa nuk merren parasysh, ne do ta rishqyrtojmë edhe mbështetjen tonë për ndryshime kushtetuese në këtë mandat të Kuvendit. Nuk përjashtohet as ngrirja e plotë e kësaj mbështetjeje derisa ata janë në pushtet. Nëse qeveria dëshiron ta injorojë Raportin dhe përgjegjësinë t’ia lë opozitës, atëherë prej saj nuk mund të presim që ajo të organizojë as zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse këto konkluzione të Lidhjes Evropiane për Ndryshim shpërfillen, ne e rezervojmë të drejtën për të ndërmarrë hapa edhe më radikalë demokratikë”, theksojnë nga Lidhja Evropiane për Ndryshim.

Edhe për VMRO-DPMNE-në, raporti i KE-së për vendin është më i keqi në histori. Partia opozitare thotë se kjo do të marrë fund për pak muaj kurse më pas do të ketë hetime dhe përgjegjësi.

“Ky është historikisht raporti më i keq që ka marrë Maqedonia, ku jo vetëm që nuk kemi progres, por kemi edhe ngecje në disa fusha. Ky raport konfirmon fatkeqësinë në gjyqësor… Sipas BE-së, korrupsioni mbetet shumë i përhapur në shumë fusha dhe situata është shqetësuese. Por pushtetit nuk i intereson, përkundrazi, ata vazhdojnë çdo ditë me afera të reja korrupsioni dhe biznese të pista personale, të gjitha me synimin për të rrëmbyer dhe ndonjë milion më shumë për veten dhe të afërmit e tyre”, shprehën nga VMRO-DPMNE.

Për pushtetin, fajtori i vetëm për pengesat e evidentuara në raport është opozita.

“Raporti i KE-së tregon qartë se pengesat kryesore të progresit janë Mickoski, DPMNE-ja dhe E Majta, dhe vlerësimi i gatishmërisë së përgjithshme të vendit për vitin 2023 është “nivel i mirë i gatishmërisë”, konstantë që është fakt prej disa vitesh”, thonë nga LSDM.

“BDI vlerëson se Raporti i Komisionit Evropian tregon qartë se pengesat kryesore për progres janë pikërisht partitë opozitare të cilat po bllokojnë ndryshimet kushtetuese dhe rrugën evropiane të vendit. BDI edhe me këtë rast apelon tek të gjithë aktorët politik, botën akademike, shoqërinë civile dhe mediat që të kontribuojnë që vendi të përfundojë me sukses sfidën e re më të madhe që nga pavarësia sepse nuk ka alternativë tjetër për të pasur një jetë më perspektivë tek ne”, thonë nga BDI.

Raporti i Komisionit Evropian theksoi se nuk ka përparim në gjyqësor, se korrupsioni mbetet i shpërndarë në shumë fusha dhe është çështje shqetësuese, se ka sfida në fushën e sundimit të ligjit, polarizim politik në Kuvend dhe se bëhet keqpërdorim i skajshëm i flamurit të BE-së në miratimin e ligjeve.

Ky raport vjen vetëm pak muaj para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, datat e të cilave nuk janë definuar por pritet të bëhen në pranverë të vitit të ardhshëm./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button