Opozita, thirrje Xhaferit për gjykatësit

Gazetar: Igor Stefanovski

Deputetët e opozitës i bënë thirrje kryeparlamentarit Talat Xhaferi që të mbledhë Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime për të hapur debat për zgjedhjen e katër gjyqtarëve të rinj kushtetues. Sipas Lëvizjes Besa, Xhaferi ka mundësi sipas rregullores në rastet kur nuk ka kryetar të një komisioni të caktuar, ndërsa nënkryetari nuk cakton seancë. Zendeli dyshon për manipulime të mundshme në përzgjedhjen e gjyqtarëve, shkruan Alsat.

“Ndryshe, pse do kërkonin ata ndryshimin e strukturës së Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, kur ai Komisioni u votua unanimisht në seancën e parë konstituive të Kuvendit? Thjesht, vetëm për të pasur kontroll mbi gjithçka që kalon në atë Komision”, tha Fadil Zendeli, Lëvizja Besa

VMRO-ja akuzon se procesi për zgjedhjen e katër gjyqtarëve kushtetues ka ngecur te kryeparlamentari.

“Atë komision e ka votuar edhe ai vetë personalisht dhe ai komision është votuar gjatë konstituimit të Kuvendit nga të gjithë deputetët njëzëri dhe vlerësojmë se ky komision duhet të punojë dhe në bazë të bindjes personale dhe deputetët me cilësinë e ofruar të kandidatëve për gjyqtarë kushtetues të bëjnë disa propozime të caktuara”, tha Antonio Milososki, VMRO – DPMNE

Ndryshe, thonë nga LSDM-ja. Sipas tyre, fillimisht duhet të kompletohet përbërja e Komisionit, me zgjedhjen e kryetarit nga LSDM dhe zëvendës anëtarë nga VMRO-ja.

“Opozita nuk mund të diktojë se cilat do të jenë propozimet tona për anëtarë të atij Komisioni, ashtu siç nuk mund të diktojmë ne se cilët do të jenë anëtarë të atij Komisioni nga ana e opozitës. Mendoj se jemi krejtësisht të qartë”, tha Snezhana Kalevska Vançeva, deputete e LSDM-së

Zënkat e këtilla në Kuvend erdhën pas letrës së djeshme deri te kryeparlamentari Xhaferi i cili akuzoi se opozita e pengon punën e Komisionit për zgjedhje dhe emërime. Ndërsa deputetët e hedhin përgjegjësinë, Gjykata Kushtetuese ka vetëm pesë gjyqtarë në vend të nëntë. /Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button