“Orët shtesë”, MASH: Komuna e Strugës ka marrë mjete përmes bllok dotacioneve

Komuna e Strugës ende nuk u ka paguar asnjë qindarkë mësuesve që mbajnë orë mësimore me prani fizike, të cilëve me ligj ju takon kompensim financiar për punën shtesë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) thotë se dëmshpërblimi duhet t’u paguhet nga fondet që komunat morën me bllok-dotacione. Këtë vit komunat kanë marrë 6.220.000 euro, që është për dy për qind ose 72.000 euro më shumë se vitin e kaluar.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk shpërndan fonde sipas qëllimit dhe shkollave. Sipas Ligjit të Arsimit Fillor, komuna i shpërndan fondet nga bllok dotacionet për shkollat dhe qëllimet – thonë nga Ministria e Arsimit.
Lidhur me punën jashtë orarit, Ministria thotë se punëdhënësi është i detyruar të mbajë evidencë të veçantë për këtë dhe këto orë t’i fusë në përllogaritjen mujore. Paga mesatare e të punësuarve në arsimin fillor është rreth 25.000 denarë.
Sipas nenit 17 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive për sektorin publik, përcaktohet se paga bazë e punonjësit rritet në bazë të orës për punën jashtë orarit për 29 për qind – njoftojnë nga Ministria e Arsimit.
Tridhjetë mësues nga shkolla fillore Vëllezërit Miladinovci javën e kaluar protestuan para komunës, duke kërkuar nga autoritetet lokale që të marrin atë që ju takon. Ata thonë se që nga fillimi i vitit shkollor punojnë në dy turne, apo edhe në tre turne, për shkak të numrit të madh të nxënësve.
Shkolla jonë dhe komuna e Strugës refuzojnë të përmbushin këtë të drejtë legjitime, të garantuar me Ligjin për Marrëdhënie Pune. Kemi bërë punën tonë me përgjegjësi dhe kështu që ne kërkojmë që të paguhet kompensimi ynë – deklaroi Irena Petreska, mësuese.
Nga Komuna e Strugës thonë se kanë qenë në kontakt me Ministrinë e Arsimit dhe se kanë pritur përgjigje prej tyre. MASH shton se që në tetor kanë dërguar letër në të gjitha shkollat që për mësuesit që kryejnë detyra pune më gjatë se koha e plotë, atyre duhet t’u paguhet dëmshpërblim për punë jashtë orarit, pikërisht nga bllok dotacionet. Sipas informacioneve të televizionit Alsat, këto para nuk janë paguar as në Ohër.
Miki Trajkovski