Osmani: Do ta ndryshojmë qasjen ndaj Bullgarisë, koha për biseda racionale

Shkupi do ta ndryshojë qasjen ndaj Bullgarisë. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani vlerëson se bisedimet me Sofjen deri më tani janë zhvilluar në mënyrë shumë emocionale. Sipas shefit të diplomacisë është koha për bisedime më racionale me fqinjin lindor. Megjithatë fokusi këtë herë do të jetë siç thotë ai te çështjet më pak të komplikuara.

- Advertisment -

Në fazën e parë dialogu mes nesh dhe Bullgarisë ishte shumë emocional, me shumë emocione në të, vlerësojmë se duhet të ndryshojmë qasje në këtë dialog, të vendosim qasje më racionale dhe ta vazhdojmë komunikim me temat për të cilat kemi më shumë mirëkuptim – deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Osmani tha se plani aksionar me Bullgarinë është thuajse 99% gati. Ai përfshin bashkëpunimin në shumë sektorë për të përmirësuar jetën e qytetarëve, ndërsa përgjegjës do të jenë ministritë respektive e të dyja vendeve. Osmani tha se pas finalizimit të planit mund të mbahet mbledhja ndërqeveritare mes të dyja vendeve.

Ndërkohë VMRO DPMME-ja edhe njëherë kërkoi nga qeveria të publikojë se çfarë përmban planveprimi me Bullgarinë duke hedhur sërish dyshimet se me Sofjen po negociohet për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin.

Ndërkohë, Bullgaria nuk konteston identitetin maqedonas. Kjo çështje është zgjidhur me aktin e njohjes së pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, nga Bullgaria, si vendi i parë, ka deklaruar shefja e diplomacisë bullgare Ekaterina Zaharieva.

Ajo në një intervistë për portalin zoom.mk ka thënë se autoritetet maqedonase përmes deklaratave publike tentojnë të fshehin realitetin duke pohuar se ne mohojmë identitetin e tyre ndërkohë që janë vetë ata që i mohojnë identitetin bullgarëve në Maqedoni e madje duke u bërë reprezalje të ndryshme.

Zaharieva dyshon se autoritetet maqedonase nënshkruan Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë në 2017 vetëm që Maqedonia Veriore të bëhet anëtare e NATO-s.

Marrëveshja është vendimtare. Në të qëndron se kemi histori të përbashkët. Tani duhet të gjejmë një mënyrë, si t’u themi të vërtetën brezave tanë që t’i japin fund iluzioneve dhe të gjejnë një mënyrë për të parë së bashku të ardhmen. Ne nuk duhet të harxhojmë edhe shumë vite tjera. Besoj se kjo mund të ndodhë, unë jam optimist. Do të jetë e vështirë, por do të ndodhë. Kjo do të ndodhë në frymën e vullnetit të mirë – tha Ekaterina Zaharieva, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.

Zaharieva ka thënë se shtetet e rajonit, përfshirë Bullgarinë janë mbështetësit më të mëdhenj për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ajo tha se gjatë kryesimit bullgar me BE-në kishte përpjekje për ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por se kjo ishte kundërshtuar fuqishëm nga Sofja Zyrtare. “Kishte një presion të madh për ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, pasi Shqipëria nuk ishte mirë e përgatitur. Por, ne ua bëmë qartë të ditur se kjo nuk do të ndodhë, ne bëmë të gjitha përpjekjet që Këshilli të ketë të njëjtin tekst për zgjerim si për Maqedoninë e Veriut ashtu dhe Shqipërinë”, ka deklaruar Zaharieva për portalin zoom.mk

Alsat

LEXO EDHE:

Back to top button