Osmani gjatë takimit me Vuçiq: Garanci për kufirin “Llojan-Miratoc”

Edhe një zotim i ri për hapjen e vend-kalimit kufitar Llojan Miratoc, i cili edhe përskaj marrëveshjes dypalëshe, assesi të bëhet realitet. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani i cili po qëndron në Beograd tha se për këtë çështje ka marrë garanci nga krerët e shtetit serb.

“…mora garanci se do të vazhdojë me punën intenzive, me qëllim që të fillojë të funksionojë, t’iu mundësohet popullatës lokale të komunikojë, por edhe të jetë mundësi alternative për vendkalimin Tabanoc-Preshevë. Këtë çështje e hapa edhe me Presidentin, Vuçiq nga i cili mora garanci se do të punohet në periudhën e ardhshme që kjo të realizohet”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Por pak ditë më parë, gjatë dorëzimi të vaksinave në Tabanoc, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se pavarësisht interesimit të banorëve shqiptarë por edhe kryeministrit Zaev, hapja e kësaj pike kufitare do t’i kushtonte para Serbisë.

“Kam biseduar për këtë çështje, Zorani ka treguar interesim, sigurisht se edhe qytetarëve shqiptarë nga të dyja anët e kufirit Llojan dhe Miratoc u intereson kjo çështje. Ne bëjmë çmos që atje të hapet kufiri. Kjo për ne nuk është e thjeshtë dhe e lehtë, jo për çështje politike por për shkak se duhet të paguhen çdo ditë njerëzit që punojnë atje, ne po shohim që të shkurtojmë shpenzimet, por mos u brengosni edhe atë punë do ta kryejmë”, theksoi Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.

Hapja e këtij kalimi kufitar premtohet tash e dy dekada. Marrëveshja mes dy vendeve është ratifikuar edhe nga parlamentet e dyja vendeve, por kufiri mbetet i mbyllur, ndërsa qytetarët akoma udhëtojnë me kilometra për të vizituar familjarët e tyre në Serbi.

 

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button