Osmani: Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor nuk çrrënjos ndikimin politik

Osmani: Ligji i ri për Këshillin Gjyqësor nuk çrrënjos ndikimin politik

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Në vend që të përforcohet edhe më shumë roli i Këshillit Gjyqësor, ky institucion ngulfatet me ndikime politike duke propozuar njerëz të ndikuar nga partitë politike, tha në intervistë për Alsat, profesori Afrim Osmani. Siç sqaroi Osmani, edhe në propozim ligjin e ri do të ketë mundësi që anëtarë të propozojnë edhe pushteti edhe opozita. Ndikim politik sipas tij, paraqet edhe prezenca e ministrit të drejtësisë si anëtar i këshillit. Në vende të tjera të rajonit, kjo nuk ndodhë tha Osmani.

“Nuk do të kenë të drejtë po ashtu të drejtë vote sikurse kanë të drejtë vote anëtarët tjerë por do të mund të marrin pjesë në çdo mbledhje të Këshillit Gjyqësor. Mirëpo nëse i kthehemi anës tjetër, duke i ndjekur praktikat e mira edhe të vendeve më të zhvilluara por edhe vendeve përreth, në asnjë nga shtetet e theksuara nuk janë pjesë përbërëse të Këshillit Gjyqësor, as kryetari i Gjykatës Supreme e as ministri i drejtësisë. Me vet prezencën e ministrit të drejtësisë do të jetë ai sinjalizimi influentues i politikës nga garnitura prej nga vjen ministri i drejtësisë”, tha Afrim Osmani – Profesor universitar.

Sa i përket formatit, edhe me ligjin e ri, Kuvendi propozon dhe zgjedhë tre anëtarë të këshillit, por miraton edhe dy anëtarë të tjerë që i propozon presidenti i shtetit. Tre anëtarët që i propozon Kuvendi, kalojnë përmes një filtri, përkatësisht nga një komision tjetër pune i cili zhvillon tërë procedurën e përzgjedhjes.
“Këtë grup të punës që e formon komisioni për zgjedhje dhe emërime propozohen nga shoqata e gjykatësve të RMV, nga dhoma e avokatëve dhe nga OJQ-të që merren me aktivitete mbi të drejtat e njeriut, aktivitete mbi jurisprudencën gjyqësorin e kështu me radhë. Si dhe një anëtar nga pozita dhe një nga opozita”, deklaroi Afrim Osmani – Profesor universitar.

Mos miratimi eventual i raportit vjetor të këshillit gjyqësor në Kuvend, sipas ligjit të ri, nuk do të ketë asnjë pasojë juridike e disiplinore as për kryetarin e as për anëtarët e Këshillit Gjyqësor. Raporti sipas Osmanit, ka më tepër karakter informues dhe shqyrtues. Në raste kur nuk miratohet raporti nga Kuvendi, atëherë lë hapësirë që të hapet debat për punën e këshillit gjyqësor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button