Osmani: Nesër lind diell i ri për Kosovën

Kandidatja për presidente në Kosovë, Vjosa Osmani deklaroi se Kosova ka votuar sot për një të ardhme faqebardhë për të gjithë. Duke e cilësuar Kurtin si kryeministrin e ri të Kosovës, Osmani u shpreh se do të jetë  nder për të që të punoj me, siç tha ajo kryeministër Kurtin.

“Kosova votoi për një të ardhme faqebardhë për të gjithë qytetarët e saj. Sot vota juaj, zëri juaj kumboi si kurrë më parë. E kemi pritur të gjithë gjatë këtë ditë, por sot vota juaj e solli ndryshimin aq shumë të pritur dhe të dëshiruar. Secilës vajzë e secilit djalë, juve që votuat për herë të parë, secilës familje, secilit prind, mërgimtarëve tanë nga thellësia e zemrës miliona herë faleminderit”.

Osmani duke folur si fituese e këtyre zgjedhjeve tha se janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që do ta kenë.

“Jemi të vetëdijshëm për barrën e madhe që e kemi si rezultat i besimit të madh që na e keni dhënë. Besimi juaj do të jetë udhërrëfyesi jonë në këtë rrugëtim. Së bashku me ju sot po shënojmë historinë. Përgjegjësia që na e keni mveshur është po ashtu një nder i madh, sepse së bashku po vijojmë punën në zhvillimin e demokracisë që punuam kaq fort për ta ndërtuar”.

Osmani, e cila pretendon postin e presidentes me mandat të plotë, u zotua se do të kthejnë besimin në institucione.

“Ky asesi nuk është një mandat për hakmarrje. Nuk është po ashtu mandat i kthimit prapa. Ky është kapitull i punëve që do të kryhen. Është mandat kur ne e nderojmë historinë tonë të përbashkët, e garantojmë mirëqenien, e luftojmë me ngulm dhe pakompromis korrupsionin, sigurojmë drejtësinë dhe punojmë me zell të madh për barazinë. Kjo qeveri do të jetë qeveria juaj dhe zëri juaj do të jetë përherë zëri jonë – këtë ua premtoj sot dhe çdo herë tjetër. Nëse ka ende të tillë që mendojnë se në Kosovë vështirë bëhen ndryshimet fitorja e sotme plebishitare e koalicionit tonë është përgjigja më e sinqertë. Sot iu bë e qartë çdokujt që e vendos interesin personal para atij nacional që qytetarët e Kosovës e ndëshkojnë keqqeverisjen, e dinë kur është ‘mjaft’ dhe e dinë kur është koha për një kapitull të ri. Kjo është fitore elektorale e koalicionit tonë, por mbi të gjitha kjo është fitorja juaj”.

Krahas kësaj, ajo përmendi edhe rezultatet te partitë tjera, ku tha se iu bë e qartë të gjithëve se nuk vendoset interesi personal, para atij nacional.

“Sot iu bë e qartë çdo kujt që e vë interesin personal, para atij nacional që i vendos interesat e veta para atyre të popullit që qytetarët e Kosovës e dinë kur është mjaft dhe e dinë kur është koha për një kapitull të ri”, tha Osmani.

Osmani tha se do të rrugëtojnë bashkë me Albin Kurtin dhe përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

LEXO EDHE:

Back to top button