Pacientët ankohen për pritje të gjata për kontrolle

Pacientët ankohen për pritje të gjata për kontrolle

Gazetar: Adnan Qaili

Terminët e pacientëve nuk janë në rend të parë për disa nga Klinikat në QKU “Nënë Tereza” në Shkup. Tani që kanë nisur pushimet vjetore të mjekëve, pritjet janë edhe me të gjata të pacientëve për të marr një shërbim shëndetësor.

Me faktin që caktimi on-line i terminëve varet nga dora e tyre, doktorët amë janë të kufizuar për tu gjetur pacientëve në nevojë terminë për ekzaminime mjekësore. Kjo ka detyruar pacientët të gjejnë lidhje për udhëzime me prioritet, disa thonë se japin edhe peshqeshe.

“Patjetër të shkosh përmes dikujt, por është vështirë meqë nuk lëshojnë terminë. Assesi, nëse pret termin kurrë s’do t’ia dalësh, çdo herë na thonë e zënë. Qëllimisht nuk i lëshojnë terminët që ne si pacientë të detyrohemi të shkojmë nëpër klinika private të paguajmë shtrenjtë”, tha një qytetar

“Katastrofë është, për terminë pritet me muaj të tërë. Hajde të mos them, por me të vërtetë puna nuk na bën për askund. Ke udhëzim, pret deri ora 13 të shëtisin poshtë e lartë, do të thotë shumë keq”, deklaroi një qytetar.

“Të gjithë thonë se doktorët me qëllim nuk i lëshojnë terminët, ata i mbajnë. Nuk kanë hapur terminë të lirë. Kush e pëson në këtë situatë? Kuptohet, pacientët! Sa është problematike? Në çdo moment mund t’ju ndodh gjithçka, kush merr pastaj përgjegjësi. Fatkeqësisht kemi mbetur vetëm në mëshirë të fatit”, u shpreh një tjetër qytetar.

Nga shërbimet zyrtare të platformës “Termini im” thonë se hapja e terminëve varet nga vetë mjekët specialistë, metodë e cila është paralajmëruar që moti të ndryshohet nga Ministria e Shëndetësisë.

Sipas tyre, do të duhej që vet drejtoria e Klinikave ti hap terminët përkatëse për çdo ditë dhe pavarësisht cili mjek është kujdestarë, qytetarët të mos mbeten në pritje.

Ky u bë fenomen i shtuar gjatë pandemisë kur stafi mjekësor ishte në izolim apo të infektuar. Tani mjekët janë në pushim vjetor./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button