Pacientët me diabet kërkojnë nga Qeveria tu sigurohen pompa moderne
Pacientët me diabet kërkojnë nga Qeveria tu sigurohen pompa moderne

Gazetare: Linda Ebibi
Shoqata e Personave me Diabet kërkon nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë që të sigurojnë pompa moderne të insulinave për pacientët me diabet të tipit 1. Sipas shoqatës aktualisht rreth 4.000 pacientë vuajnë me diabet të tipit një, ndërsa vetëm rreth 300 pacientë posedojnë pompa insuline edhe atë të vjetruara.
“Unioni i shoqatës i personave me diabet është drejtuar deri tek Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë që këtë vit të furnizojnë më shumë pompa të insulinave nga ajo që kanë planifikuar, pasi numri është shumë i vogël i pacientëve që kanë pompë vetëm 200-300 pacientë nga 4.000 pacientë…Kjo për qëllim të mundësohet jetë kualitative të personave me diabet, veçanërisht të fëmijëve dhe të rinjve, që të jenë në shkolla, të moshuarit në punë dhe të mos ketë harxhime shtesë në jetë”, tha Dime Velev, kryetar i Shoqatës së pacientëve me diabet.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari nuk e precizoi nëse do të sigurohen këto, por tha se me qëllim që të mos ketë mungesë të insulinave kanë vendosur që prokurimin publik ta bëjnë për dy vite.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni Kombëtar i Diabetit kanë vendosur që prokurimi i insulinës të bëhet çdo dy vjet. Është shumë më racionale në këtë mënyrë, që të mos ketë mungesë. Çdo vit prokurohet dhe përsëri përderisa bëhet prokurimi, ndonjëherë ka mungesë dy-tre ditësh ose pesë ditësh ose 10 ditësh. Kjo është arsyeja pse tani do të prokurohet për dy vjet. Procedura e prokurimit publik ka përfunduar dy tre javë më parë, kontrata është nënshkruar me furnizuesin standard që ka qenë i njëjtë për gati 10-15 vjet”, u shpreh Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë.
Nga Shoqata theksojnë se pompat e insulinës janë shumë të rëndësishme për menaxhimin e diabetit dhe parandalojnë nevojat për trajtimet më të shtrenjta. Kjo nuk është hera e parë që pacientët me diabet ankohen për kushtet e tyre, disa herë janë ankuar edhe për mungesë të terapive. /Alsat.mk