Pacientët me sklerozë multiple ankohen për mungesë të terapisë

Pacientët me sklerozë multiple ankohen për mungesë të terapisë

Gazetare: Vjollca Aliti

Më shumë se 60 pacientë me sëmundjen e sklerozës multiple presin për terapi moderne. Përfaqësuesit e shoqatës së sklerozës multiple thonë se pacientët të cilët presin janë kryesisht mosha të reja, të cilët nëse fillojnë me terapi në kohë mund të funksionojnë të pavarur. Ana Karajanova nga kjo shoqatë thotë se Klinika e Neurologjisë nuk ka buxhet të mjaftueshëm për trajtimin e pacientëve të prekur nga kjo sëmundje.

“Përballemi me mungesë të terapisë për numër të madh pacientësh me MS të cilët tanimë kanë filluar me trajtim. Në situatë të ngjashme janë edhe ata të cilët presin me muaj të fillojnë të marrin trajtim bashkëkohor. Arsyet për këtë gjendje mund të kërkohen në buxhetin e pamjaftueshëm të cilin Klinika e Neurologjisë e ndan për këtë sëmundje. Ndërkohë numri I personave të cilët diagnostikohen me këtë sëmundje vazhdimisht rritet”, deklaroi Ana Karajanova DImitrusheva, Shoqata nacionale e “Sklerozës Multiplex”.

Ndryshe nga pacientët, ministri i Shëndetësisë me lëvdata se Maqedonia e Veriut është shembull në rajon për nga mbulimi me terapi moderne.

“Unë si neurolog profesional ju them me shumë përgjegjësi se jemi më të mirët në rajon për nga sigurimi i terapisë për sëmundjen e sklerozës multiple. Po angazhohemi sa më shumë pacientë të kyçim në listën e terapisë. Numri i atyre që presin nuk është numër i madh. Ne saktë e caktojmë diagnozën dhe kohen kur duhet të pranohet terapia. Kemi normalisht dhe terapi modulatore të cilat jepen në bazë të udhëzimeve profesionale, por ju siguroj që jemi më të mirët nga shtetet përreth”, tha Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Mbi 1500 persona në Maqedoni vuajnë nga kjo sëmundje kronike e cila tek pacientët paraqitet përmes simptomave të ndryshme. Më të shpeshta janë simptomat si dobësimi i duarve apo këmbëve, ndjenjat e të qenit i mpirë, dridhje, artikulim i paqartë dhe pengesa në shikim.

Çdo vit në Maqedoni diagnostikohen 90-120 persona. Ndërsa më shumë preken gratë. Në gjithë botën mbi 3 milion njerëz vuajnë nga kjo sëmundje. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button