Paga minimale/ Konfederata e Sindikatave Evropiane kërkon që të ndërpriten presionet ndaj sindikatave

Paga minimale/ Konfederata e Sindikatave Evropiane kërkon që të ndërpriten presionet ndaj sindikatave

Gazetare: Ajnur Bafqari

Konfederata e Sindikatave Evropiane me ton të ashpër ndaj presioneve që u bëhen sindikatave në Maqedoninë e Veriut.

Kërkojnë që të gjendet rrugë për dialog social dhe zgjidhje për pagën minimale. Përfaqësuesja e kësaj konfederate, Dea Jarc, thekson se po e ndjekin nga afër situatën në të gjitha vendet, me theks të veçantë vendet që janë në proces të zgjerimit.

Ajo tha se gjithçka do të raportohet te Komisioni Evropian dhe më pas do të pasqyrohet në raportin vjetor për përparimin e vendit.

“Të jesh sindikalist është e drejtë e njeriut, është e drejtë e punëtorit që duhet të respektohet dhe as qeveria e as punëdhënësit nuk duhet t’i sulmojnë sindikatat…. Ata që nuk i respektojnë të drejtat duhet të thirren në përgjegjësi. Shpresoj se në Maqedoninë e Veriut këto sulme ndaj sindikatave do të ndalen, do të kthehet dialogu social dhe do të ketë bisedime dhe përmes tyre do të merreni vesh se cila është paga adekuate minimale për punëtorët. Ne ndjekim dhe raportojmë se çfarë ndodh në këtë vend”, u shpreh Dea Jarc, Konfederata e sindikatave evropiane.

Por Kryeministrin Hristijan Mickoski, nuk e shqetëson kjo gjë. Ai i fton përfaqësuesit e konfederatave që të dëgjojnë të gjitha palët dhe më pas të dalin me konkluzione.

“Jo nuk më shqetëson, përkundrazi më motivon, unë do t’i ftoja të vijnë këtu dhe të dëgjojnë argumentet, sepse do të ishte papjekuri që vetëm mbi baza të informacionit njëpalësh të miratojnë konkluzione. Në parim do t’i këshilloja që t’i dëgjojnë të gjitha palët dhe më pas të flasim për konkluzionet, unë jam i sigurt se përfaqësuesit e lartë të KE-së do të duan ta dëgjojnë edhe palën tjetër, atëherë debati dhe konkluzionet do të ishin më ndryshe”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Kreu i LSM-së, Sllobodan Trëndafillov, theksoi se sindikatat do t’i përgjigjen presionit me presion, pavarësisht se nga kush vjen.

Përplasjet e sindikalistëve me përfaqësuesit e Qeverisë, erdhën si pasojë e mosmarrëveshjeve për rritjen e pagës minimale në 500 euro, dhe kërkesën për pagesën e kontributeve nga ana e Qeverisë. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button