Pakënaqësi të shumta për punën e gjyqësorit, mbi 3 mijë ankesa te Avokati i Popullit

Pakënaqësi të shumta për punën e gjyqësorit, mbi 3 mijë ankesa te Avokati i Popullit

Gazetare: Evi Shkopi

Pakënaqësinë ndaj institucioneve qytetarët i kanë shprehur edhe tek Avokati i Popullit. Më shumë pakënaqësi ka ndaj punës së gjykatave dhe gjyqësorit në përgjithësi.

“Numri më i madh i ankesave kanë të bëjmë me fushën e gjyqësorit. Pastaj vijnë ankesat që kanë të bëjnë me të drejtat e marrëdhënies së punës, të drejtat nga mbrojtja sociale, të drejtat nga mbrojtja e fëmijëve. Në përgjithësi dominojnë ankesat për punën e përmbaruesve, pastaj dominojnë gjykatat, Gjykata Themelore- Shkupi 2, gjykatat tjera ne territorin e Maqedonisë, siç është e Prilepit, Manastirit e kështu me radhë. Ka ankesa edhe për Këshillin Gjyqësorë Republikan”, deklaroi Naser Ziberi-Avokat i Popullit.

Ziberi komentoi edhe anketën e fundit nga IRI amerikan sipas së cilës qytetarët kanë humbur besimin në institucionet e vendit. Si shembull ai përmendi vendimin e Gjykatës së Apelit për rastin “ Target Fortesa” që kanë sjellë në këtë gjendje besimin në institucionet e drejtësisë.

“Është e qartë se si krijohet dhe pse krijohet ky perceptim tek qytetarët për gjykatat. Nuk është i rastësishëm humbja e besimit të qytetarëve ndaj vendimeve që merr gjyqësori. Unë mendoj se duhet bërë shumë më tepër për t’u ndryshuar kjo gjendje. Indikacionet flasin se nuk ka veprime në këtë drejtim. Dyshoj se me këtë situatë do të mund të përballemi pa ndonjë akt më serioz në këtë drejtim”, tha Naser Ziberi-Avokat i Popullit.

Sipas IRI-t amerikan, më shumë se gjysma e qytetarëve mendojnë se shteti po lëviz në drejtim të gabuar. Alarmante janë të dhënat për besimin në institucionet e vendit, vetëm 4 për qind e qytetarëve i besojnë plotësisht Gjyqësorit, ndërsa Prokurorisë vetëm 3 për qind. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button