Pakoja e ligjeve për pagat e funksionarëve, ekspertët: Farsë për të zbutur revoltën e qytetarëve

Pakoja e ligjeve për pagat e funksionarëve, ekspertët: Farsë për të zbutur revoltën e qytetarëve

Gazetar: Adnan Qaili

Pakoja për 6 propozim-ligjet, pritet të miratohet në kuvend pasi të përfundojnë të gjitha procedurat. Por, për ekspertët ekonomikë kjo siç thonë farsë po bëhet për të zbutur revoltën e qytetarëve, të cilët ishin kundër rritjes për 78% të pagave të funksionarëve. Dhe kjo tani u la në harresë duke u përpjekur që me ndryshime ligjore të ulet koeficienti i pagave në mënyrë që mos tu rriten edhe për 15% më shumë pagat e 1060 të zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar. Madje 200 drejtorë të emëruar drejtpërdrejtë nga Qeveria do të mbeten në vullnetin e ekzekutivit nëse do të merret vendim për uljen e koeficientit të pagave të tyre për mos të pasur rritje shtesë nga rrogat e marsit, pasi që nuk përfshihen në asnjërin nga këto 6 ligje aktuale.

“Kjo do të shikojmë në të ardhmen që do të ketë reperkusione të mëdha sepse do të ketë ‘spillover effect’ që i themi në ekonomi ne ose domino efekt për të gjitha ato profesione që e kanë mbajtur të kufizuar rritjen e pagave dhe do të duhet që pagat t’u llogariten njëlloj si funksionarëve. Është e paimagjinueshme që kostoja e jetesës dhe çmimet rriten dhe pagat e funksionarëve po ashtu të rriten. Atëherë i bie që qytetarët po financojnë me të madhe rritjen e pagave, të cilat edhe tani i kanë të larta dhe me nivelin e korrupsionit që është në Maqedoninë e Veriut është goxha shqetësues ky lloj trendi”, deklaroi Visar Ademi, Ekspert Ekonomik.

Kundër këtyre ligjeve pati kundërshtime të theksuara nga partitë politike, sidomos nga BDI e cila nuk pati konsensus në Qeveri, gjë e cila shtyri grupin parlamentar të LSDM-së të merr nismën përmes deputetëve të saj. Nga VMRO DPMNE dhe Koalicioni VLEN janë shprehur “pro” këtyre ndryshimeve ligjore. Por edhe gjykatësit kërcënojnë se do të ndërmarrin të gjitha mekanizmat ligjor për të kontestuar këto ndryshime ligjore, me shumë gjasë në Gjykatën Kushtetuese, të cilët vlerësojnë se po u shkelet e drejta e tyre për rritje të pagave. Këshilli Gjyqësor thonë se mos rritja e pagave është sulm në pavarësinë e tyre.

“Intervenimi në uljen e koeficientit të të ardhurave personale të gjykatësve, paraqet një sulm të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Në vend të rritjes së pritshme të koeficientit të dakorduar përmes dialogut gjashtëvjeçar me Qeverinë, sot jemi dëshmitarë të pezullimit të marrëveshjes, tashmë me arsyetimin se është dhënë një zgjidhje e qëndrueshme kushtetuese. Për këto arsye, i bëjmë thirrje edhe një herë propozuesit që të tërheqë këto ndryshime, të cilat do të shmangin kostot e panevojshme për buxhetin e shtetit, në rast reagimi të mundshëm të gjykatësve në procedurat përkatëse gjyqësore”, njoftojnë nga Këshilli Gjyqësor.

Kujtojmë që me heqjen e bazës ligjore nga Gjykata Kushtetuese, rritja e pagave të funksionarëve që nga marsi i vitit 2023 u bë variabile sipas rritjes së pagës mesatare në vend. Edhe me ndryshimin e këtyre 6 ligjeve, sipas ekspertëve nuk ka garanci që në vitin e ardhshëm me koeficientet e korrigjuara të mos ketë rritje shtesë së pagave të funksionarëve, meqë kjo do të diktohet nga rritja e pagës mesatare në vend. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button