Palevski kërkon përjashtimin e Prokurorisë, akuzon për kurdisje ndaj tij

Palevski kërkon përjashtimin e Prokurorisë, akuzon për kurdisje ndaj tij

Gazetar: Mihajllo Donev

I akuzuari i parë Lupço Palevski ka kërkuar përjashtimin e gjithë Prokurorisë për rastin e vrasjes së 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski.

Në shpjegimin e kërkesës, Palevski para gjykatës tha se edhe 420 ditë pas vrasjeve, prokuroria nuk e kishte siguruar armën, shkruan Alsat.

Palevski gjithashtu akuzoi se njërit prej të akuzuarve, Bore Videvskit, i është gjetur armë që përputhet me përshkrimin e asaj që është përdorur për vrasjen e Vanjës dhe Pançes, por se ajo nuk ishte përfshirë në listën e provave të prokurorisë. Mbrojtja e Palevskit gjithashtu pretendon se prokuroria po zhvillon fushatë kundër tij.

“Duke pasur parasysh, siç tha i akuzuari, se dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja janë pyetur 10 herë nëse Lupço Palevski kishte armë, dhe se asnjë nga të akuzuarit e tjerë nuk ishte pyetur, që mos të bëhet kontroll i tillë, ne besuam se disa nga hapat e ndërmarra nga prokuroria tregojnë se me çdo kusht po tentohet të lidhet Lupço Palevski me këtë vepër”, tha Marjan Vitanovski, avokat i të akuzuarit të parë Lupço Palevski.

Prokurorët nuk e kanë të qartë se si Palevski i ka dokumentet nga dëshmitë në prokurori, por thonë se nuk ka dyshim se Palevski është fajtor.

“Prokuroria ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme, të gjitha pretendimet janë të pabazuara, provat i janë bashkangjitur shkresave të lëndës dhe është e qartë se me paraqitjen e video-incizimeve po i afrohemi pjesës kur opinioni do të informohet për veprimet e ndërmarra konkretisht nga i akuzuari Lupço Palevski, i cili gjatë gjithë kohës ka mohuar se ka marrë pjesë në ngjarjet në fjalë”, u shpreh Zhaklina Kërstevska Josifovska, prokurore.

Pas kërkesës për përjashtimin e prokurorisë nga ky rast, gjykatësi Ivica Stefanovski shtyu seancën e sotme dhe seancën e radhës e caktoi për 3 shkurt, me ç’rast Prokuroria do të ketë afat për t’iu përgjigjur kërkesës së mbrojtjes./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button