Pandemia zbehu manifestimet e 7 Marsit

7 Marsi, Dita e Mësuesit këtë vit ra nën hijen e pandemisë Covid 19. Shkollat nuk realizuan asnjë aktivitet. Mësuesit e klasës së parë e deri në atë të tretë ishin të vetmit që uratat për këtë ditë i morën nga afër, sepse realizojnë mësimin me prezencë fizike. Alsat të premten vizitoi shkollën fillore “Kultura” të fshatit Mateç të komunës së Likovës, ku për herë të parë mungoi zhurma e nxënësve që ishte e zakonshme në festat e marsit.

“Erdhëm në shkollë dhe i tham mësueses, urime festën e mësuesit. Ajo na mëson me shkru dhe me lexu, matematikë, gjuhë shqipe”.

“A e keni uru mësuesen për ditën e sotme edhe si e keni uru? Me nji poezi: Ditën e mësuesit ne do ta festojmë, lulet më të bukura ne do ti dhurojmë”.

“Na mungojnë shumë klasë të tjera, shumë nxënës të tjerë të cilët e presin me padurim këtë festë të mësusit. Jashtë mase na ka munguar, jo vetëm mua po edhe gjithë kolektivit, zërat e nxënësve”, tha Hikmete Asani, mësuese, sh.f “Kultura” fsh.Mateç.

Mësuesit e ciklit të lartë fillor, Ditën e Mësuesit e shënuan përmes formës “online”. Nxënësit recituan poezi dhe përsëritën dëshirën për t’u rikthyer në bankat shkollore.

“Online nuk arritëm t’a festojmë festën mësuesit, sepse nuk mundemi prej online. Të gjithë ja recituam nga një poezi. Na mungon shkolla, nuk e kemi shoqërinë sikurse e kemi pasur viteve tjera”.

Nga Shoqata e Arsimtarëve Shqiptarë thane se nxënësit tashmë janë mërzitur nga mësimi nga distanca. Madje, thonë se për çdo ditë rritet numri i nxënësve që nuk kyqen në mësim.

“Nuk është mësim me telefon ose laptop. Prezenca fizike nuk zëvendësohet me asgjë tjetër vetëm pse të arsyetohemi, kjo është një arsye se po e kryejmë vitin shkollor a absolutisht nuk kemi mësim të mirëfilltë. Tash, kohën e fundit po e vërejmë se dhe prezenca e nxënësve vetëm se ka zënë të mos kyqen, kanë fillu të mërziten nga kjo metodë e punës”, pohoi Samet Jahiu, kryetar I SHASH, Kumanovë.

Përskaj vështirësive me procesin mësimor nga distanca, historia e 7 Marsit është një nga mësimet më të rëndësishme në arsimin fillor.

“Viti 1887, për ne si shqiptar na jep të njohim se në këtë ditë u bë hapja e mësojtores së parë shqipe në Korçë në krye me mësuesin dhe ithtarin e madhë të diturisë Pandeli Sotiri. Pas këtyre vitev fillojnë shkollat të hapen në Ersekë, pastaj edhe tek ne në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë e gjithandej”, tha Ismail Rushiti, mësues i gjuhës shqipe.

Edhe këtë përvjetor marsi, shumë mësues realizojnë mësimin në shkolla të shkatërruara ose klasë të mbingarkuar më nxënës. Ndërkohë, nxënësit shqiptarë të komunës Çashkë të Velesit vazhdojnë të arsimohen në gjuhën maqedonase për shkak të pamundësisë institucionale për t’u shkolluar në gjuhën amtare.

Melihate Rustemi

LEXO EDHE:

Back to top button