Paralajmërim nga ekspertët: Në këtë pjesë të Evropës kërcënojnë valë të reja të nxehtit, rrezik i shtuar për zjarre të reja

Paralajmërim nga ekspertët: Në këtë pjesë të Evropës kërcënojnë valë të reja të nxehtit, rrezik i shtuar për zjarre të reja

Spanja dhe Portugalia po përgatiten për një tjetër valë të nxehti që do të zgjasë për shtatë ditët e ardhshme me temperatura mbi 44 gradë Celsius në pjesë të Gadishullit Iberik, e cila do të rrisë më tej rrezikun e zjarreve.

Evropa Jugore po lufton me temperatura rekord gjatë sezonit të pikut turistik veror, duke bërë që autoritetet të paralajmërojnë për rreziqet shëndetësore. Shkencëtarët thonë se valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta dhe më intensive gjatë verës për shkak të ndryshimeve klimatike.

Në Portugali, më shumë se 900 zjarrfikës dhe 16 avionë janë ende duke luftuar me dy zjarret pyjore që shpërthyen gjatë fundjavës – në Odemira, rreth 200 kilometra në jug të Lisbonës dhe në qytetin e Urem, rreth 140 kilometra në veri të kryeqytetit.

 

 

 

Autoritetet kanë deklaruar nivelin më të lartë të rrezikut nga zjarri në më shumë se 120 komuna në të gjithë Portugalinë.

“Faktorët që shkaktojnë valën e fundit të të nxehtit janë një atmosferë e qëndrueshme – që çon në qiell pa re – dhe ardhja e një mase të madhe ajri të ngrohtë dhe të thatë nga Afrika veriore,” i tha Reuters Ruben del Campo i agjencisë spanjolle të motit AEMET.

 

 

 

Ai tha se kjo valë e të nxehtit në përgjithësi do të jetë më intensive, më e përhapur dhe pak më e gjatë se dy valët e të nxehtit në korrik.

Campo shtoi se kombinimi i temperaturave të larta dhe lagështisë shumë të ulët çoi në avullimin më të shpejtë të ujit në rezervuarë ndërsa kërkesa ishte në rritje.

 

 

 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit, rezervuarët ishin në 42.2 për qind të kapacitetit të tyre më 31 korrik.

Agjencia Meteorologjike Portugeze “IPMA” ka shpallur sot një alarm të kuq moti për shkak të nxehtësisë ekstreme në gjashtë rrethe të vendit, përfshirë kryeqytetin Lisbonë.

IPMA tha se temperaturat mund të tejkalojnë 44 gradë Celsius në Évori, e cila është në fushat e gjera të rajonit jug-qendror Alentejo, dhe 41 gradë në qytetet bregdetare të Lisbonës dhe Setubalit.

LEXO EDHE:

Back to top button